Të kënduara prej tyre, tingëllojnë bukur, si këngët e muzikës së lehtë dhe perlat e këngës popullore të përpunuara shqiptare. Janë studentët e kursit të parë të kantos, në Akademinë e Arteve të Bukura që nën udhëheqjen artistike të pedagoges së tyre, këngëtares dhe mexosopranos Manjola Nallbani, po vënë në jetë pasionin për interpretimin e këngës së lehtë dhe asaj popullore qytetare.

Ky është viti i parë i çeljes në Akademinë e Arteve, të kësaj dege të veçantë të Muzikës së Lehtë dhe Këngës Popullore të përpunuar, një degë që i është besuar këngëtares Manjola Nallbani. 

Manjola Nallbani: “Është një nga hapat më seriozë që ka ndërmarrë Akademia për të rregulluar pak ndoshta jo thjesht muzikën shqiptare, por sidomos mënyrën e interpretimit të këngës shqiptare si të lehtës ashtu edhe asaj popullores. Kam qenë me fat që jam e para që e konceptova programin dhe është njësoj si misi i parë, festivali i parë. Ky do të jetë grupi i parë i studentëve  në historinë e Akademisë që po shkollohen përkrah asaj çfarë kanë më të rëndësishme që është e kënduara e muzikës operistike edhe për muzikën e lehtë dhe popullore do thoja vërtetë që ka talente të mrekullueshëm dhe unë që kam qenë e para që i kam lëvruar të tre gjinitë e kam ndjerë se sa e rëndësishme është që të të përkrahi edhe shkolla në 4 vitet e saj për këtë lloj pasioni.”

Që në vitin e parë të hapjes, numërohen 54 studentë që ndjekin këtë kurs. Dhe ky koncert për mbylljen e vitit të parë akademik duket mjaft premtues. “N’at zaman t’njasaj furie”, potpuri popullore Jug veri, potpuri tiranase, si dhe këngë të lehta të njohura në mbarë botën ishin pjesët e zgjedhura për këtë koncert, që meritoi duartrokitjet e publikut të pranishëm./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani