Mesa duket, dëshira e gjithë qytetarëve të Tiranës, ka qenë që festën e Shën Valentinit t’a kalojnë në kodrat e liqenit artificial. Kështu që në orët e para të paradites turma të mëdha njerëzish dhe makinash u janë drejtuar parkut kombëtar. Në këtë dyndje duket se ka ndikuar dhe aktiviteti i organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Akademia e Arteve të Bukura. Një atmosferë e mrekullueshme është krijuar sot pranë liqenit artificial.
Simbol i të dashuruarve sot ka qenë kjo zemër gjigande që lundronte mbi liqen. Në amfiteatrin e liqenit, Dj Aldo nga Top Albania Radio ka miksuar muzikë ritmike për të gjithë të dashuruarit. Në qiellin e Tiranës kanë fluturuar sot gjatë gjithë paradites parashutistë dhe tullumbacë në formë zemre. Nuk kanë munguar as lulet e mrekullueshme të freskëta që janë tregtuar në pika të ndryshme shitjeje.
Ndërsa nga studentët e Akademisë së Arteve është organizuar një shfaqje me këngë, valle, pjesë teatrore, balet e të tjerë. Nuk kanë munguar gjithashtu dhe ekspozitat e pikturave. Për të përfunduar sot në amfiteatrin e liqenit në orën 18:00 do të organizohet një koncert madhështor me këngëtare mjaft të njohur shqiptarë./tvklan.al
Gazetare: Fjodora Fjora