Gjykata e Lezhës vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për kryetarin e njësisë administrative Kallmet Besnik Simonin dhe Altin Markun.
Ata u konfliktuan me armë në fshatin Kallmet pas një konflikti verbal, ku zënka degjeneroi deri në përdorimin e armëve, duke mbetur të dy të plagosur.
Vendimi iu komunikua në Spitalin e Traumës ku po marrin mjekimin.
Ndaj tyre, rëndojnë akuzat “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Sjellim në vëmendje se mes administratorit të Njësisë Administrative Kallmet, Besnik Simonit dhe Altin Markut, ka pasur shkëmbim zjarri. Pas përplasjes me armë zjarri, të dy u dërguan me urgjencë në spitalin e Traumës.
Në njoftimin zyrtar, Policia ka thënë se është sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me 6 fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga Marku si dhe dy automjete. Vijon puna për gjetjen e armës tjetër pistoletë, të përdorur gjatë konfliktit.
Administratori Simoni ka marrë 3 plumba pistolete. Zyrtarisht policia ka thënë se ngjarja u regjistrua pas një sherri që dyshohet të ketë nisur në zyrën e Njësisë Administrative mes Simonit dhe Markut.
Ky i fundit dyshohet se pas konfliktit verbal, e ka ndaluar në rrugë zyrtarin dhe më pas e ka qëlluar atë disa herë./tvklan.al