4 viktima dhe 52 të arrestuar gjatë mësymjes së protestuesve
Kongresi miratoi këtë të enjte në një sesion të përbashkët të dy dhomave asaj të Përfaqësuesve dhe Senatit, zgjedhjen e Joe Biden si President i 46 i Shteteve të Bashkuara.
Pas mësymjes së dhunshme dhe të paprecedentë të mbështetësve të tij në Kongres, që çoi në pezullimin e përkohshëm të seancës së certifikimit të fitores së demokratit Biden, Presidenti në detyrë Donald Trump premtoi se më 20 Janar do të ketë një kalim të rregullt pushteti tek pasardhësi i tij. Përmes një deklarate për shtyp të publikuar nga mediat, Trump shprehet se nuk e njeh fitoren e Biden dhe se ky ishte vetëm fillimi i betejës.
4 persona u vranë gjatë trazirave që shkaktoi mësymja e mbështetësve të Trumpit brenda në Kongres. Mes tyre, viktima e parë ishte Ashli Babitt 35 vjeç veterane e forcave ajrore ushtarake ku ka shërbyer për 14 vjet. Ajo u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë. 52 protestues u arrestuan. Mbështetësit e Trumpt hynë deri në sallën e Senatit.
Punimet u rikthyen pasi forcat speciale nxorrën jashtë dhe shpërndanë manifestuesit. Kundër dhunës u shprehën edhe shumë anëtarë republikanë të Kongresit, zv/Presidenti Pence e shumë të tjerë.
Kelly Loeffler: Kur mbërrita nga Uashingtoni, isha plotësisht e bindur ta kundërshtoja certifikimin e votave të Kolegjit. Por pas këtyre ngjarjeve detyrohem ta rishikoj vendimin dhe me ndërgjegjie të pastër nuk mund të votoj kundër certifikimit.
Mitt Romney: Ajo që ndodhi këtu ishte kryengritje e nxitur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ishte sulm i paprecedent në histori ndaj demokracisë tonë. Besoj që mënyra më e mirë për të respektuar votuesit është t’u themi të vërtetën, të pranojmë fituesin.
Senatori republikan Adam Kisinger shkoi edhe më tej teksa i bëri thirrje zv/Presidentit Mike Pence që të aktivizojë Amendamentin 25, i cili e përcakton Presidentin të paaftë për të kryer detyrën.
“Fatkeqësisht, u pa se Presidenti ka abdikuar nga detyra e tij për të mbrojtur popullin amerikan dhe Kongresin. Është koha për të aktivizuar Amendamentin e 25-të dhe t’i japim fund këtij makthi”.
Në një letër drejtuar Pence, edhe demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kërkuan gjithashtu shkarkimin e parakohshëm të Trump duke pretenduar se ai kishte nxitur një kryengritje dhe nuk është “mendërisht i shëndetshëm”.
Zv/Presidenti Pence hodhi poshtë kërkesën e shefit të tij për të mos nisur seancën e certifikimit të rezultatit, ndërsa anëtarët e Kongresit kundërshtuan parregullsitë e pretenduara në 6 shtetet federale. Trazira nuk pati vetëm në Uashington por edhe në disa kryeqendra të shteteve federale.
Tv Klan