Fjorald Zguro: “Ecurinë e punimeve në autostradën Rrëshen-Kalimash, veprën më të rëndësishme të infrastrukturës shqiptare, e ka parë nga afër edhe kongresmeni amerikan Eliot Engel, i cili e ka quajtur këtë si një rrugë mjaft vizionare që do i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe mbarë rajonit.”

Kongresmeni amerikan pati mundësinë të ketë një pamje të plotë të rrugës gjatë udhëtimit të tij me helikopter nga Tirana deri në hyrje të tunelit në Thirrë, të cilin e vizitoi më pas.

I pyetur nga televizioni Klan rreth përshtypjeve të kësaj vizite, kongresmeni iu përgjigj se kishte mbetur shumë i befasuar nga puna e mrekullueshme për gjatë gjithë gjatësisë së autostradës.

Eliot Engel: “Kjo është e jashtëzakonshme! Udhëtuam me helikopter mbi gjithë projektin që shtrihet nëpërmjet maleve. Pamë gjëra dhe vende që nuk mund t’i imagjinonim dot. Pamë gjithçka, punën që po bëhet në këto të pabesueshme. Mendoj se ky projekt është i mrekullueshëm dhe tregon për një vizion të jashtëzakonshëm. Kur kryeministri po më tregonte për këtë dje, nuk e imagjinoja dot se sa bukur do të ishte. Dua të uroj popullin e Shqipërisë, kryeministrin dhe zyrtarët e qeverisë, sepse mendoj se ku projekt është shumë i mirë dhe do ti sjellë Shqipërisë një të ardhme me të vërtetë! Nga kjo rrugë nuk do të përfitojvë vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni. Do ta kthejë Shqipërinë në një qendër progresi në rajon. E dimë që rruga do të shkojë deri në kufirin me Kosovën dhe mendoj se do të ketë një vazhdimësi të saj përtej këtij kufiri. Jam i befasuar sepse kur mendon sa shumë punë duhet për të bërë një projekt të tillë, punëtorët, materialet, logjistika e përdorur, tregon se kjo është një sipërmarrje e jashtëzakonshme dhe përfshin një vizion për të ardhmen.”

Kongresmeni Engel duke parë punën kolosale që po bëhet në këtë pjesë të Shqipërisë, nuk nguroi të heq vija paralelizmi mes kryeministrit Berisha dhe ish-presidentit amerikan Eisenhower, i cili arriti të ndërtojë një rrjet rrugor që do të lidhte çdo cep të Amerikës. Kjo është një rrugë që do e çojë Shqipërinë drejt së ardhmes, tha Engel.

Eliot Engel: “Mbaj mend nga fëmijëria ime në New York, gjatë kohës së presidenti Eisenhower vendosi të ndërtonte një sistem kombëtar autostradash me rrugë që do të lidhin çdo cep të SHBA. Ky projekti më kujton këtë. Kjo është me të vërtetë një rrugë që do ta çojë Shqipërinë drejt së ardhmes. Kur shoh këta njerëz që gërmojnë në këtë tunel, gjithë këtë logjistikë. Është me të vërtetë e jashtëzakonshme. Ndihem i privilegjuar dhe me fat që jam këtu.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorlad Zguro