Këtë të mërkurë në ambientet e kryesisë së Kuvendit u ngrit Komisioni për Dezinformim. Pjesë e komisionit është edhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi. Ai u shpreh se qëllimi i ngritjes së komisionit është adresimi i shqetësimeve që ka e gjithë bota perëndimore se dezinformimi mund të cenojë në minimin e vlerave demokratike.
“Ky është një komision i rëndësishëm, nuk duhet të shikohet si luftë partiake. Ajo që na bën sot më të ndjeshëm dhe na ul në këtë komision është shqetësimi që ka sot e gjithë bota perëndimore demokratike që ky fenomen mund të cenojë në minimin e vlerave tona demokratike. Burimi i ngritjes së këtij komisioni është pikërisht ky shqetësim që vjen pothuajse nga e gjithë bota perëndimore dhe është një shqetësim që lidhet jo vetëm, por më së shumti me zhvillimin e teknologjisë. Nuk duhet të ketë asnjë frikë, asnjë paranojë që ky komision mund të shërbejë si instrument që do duhet të ngrejë mazhoranca për të kontrolluar një aspekt të shoqërisë dhe sidomos me atë që lidhet me fjalën e lirë dhe të medias. Përkundrazi këtu jemi për të parë si po i përgjigjet Shqipëria me institucionet që ka, këtij shqetësimi që vjen nga partnerët”, tha Çuçi.
Gjatë ngritjes së komisionit nuk ishte e pranishme opozita. Për këtë arsye pati një ftesë nga Çuçi.
“Edhe njëherë i bëj ftesë për kolegët e opozitës që ky është momenti të tregojnë se parlamenti nuk është thjesht për të siguruar një vend në listën e ardhshme të deputetëve, por janë këtu për të mbrojtur interesin e qytetarëve”, tha Çuçi.
Drejtues i komisionit do të jetë Erion Braçe. Gjithsej ajo ka 11 anëtarë, ku 6 i takojnë mazhorancës dhe pjesa tjetër opozitës. PS ka deklaruar se kjo nismë bëhet për të luftuar ndikimet e huaja që kërkojnë destabilitet në vend. Nga deputetët demokratë kjo është parë si përpjekje për të vendosur censurë mediatike.
Dokumenti mbi të cilin është bazuar ngritja e këtij komisioni ka të bëjë me memorandumin e bashkëpunimit të firmosur në 15 Shkurt nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara, gjatë vizitës në Tiranë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken./tvklan.al