Mediat italiane vazhdojnë të nxjerrin fakte të reja sa i përket avionit të rrëzuar në Ishëm, të Durrësit dhe me të cilin do të kryhej trafik droge.

Gazeta italiane “Corriere della Sera”, në një shkrim të ditës së sotme, shkruan mbi kontratën që kishte bërë piloti italian, Guido Andrea Guidi me trafikantët.

“20 mijë euro për të transportuar në avion 200 kilogramë marijuanë”, ka thënë piloti italian. “Corriere della Sera” duke iu referuar burimeve të inteligjencës italiane shkruan se ka nisur një hetim i përbashkët mes dy shteteve për të identifikuar kokat e këtij trafiku nga ajri, të drogës.

Autoritetet italiane po studiojnë lëvizje e pilotit drejt Barit si dhe kontaktet e tij. Në dëshminë e tij Guido Andrea Guidi, 69 vjeç, ka treguar dy emra, një italian dhe një shqiptar.

Ndër të tjera gazeta italiane shkruan se piloti po mbahet në ruajtje nga autoritete shqiptare, ndërsa thekson edhe faktin që ka qenë i dënuar në vitin 2006 për një aksident ajror./tvklan.al