Kjo ishte pamja këtë fundjavë në rrugët e Korçës. Kostume të veçanta, maska të shumëllojshme, tematika dhe mesazhe nga më të ndryshmet.
Edhe edicioni i 17 i Karnavaleve gjallëroi qytetin. Nuk morën pjesë vetëm vendas, por edhe të ardhur nga shtete të ndryshme si Serbia, Greqia, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi.
“Ne jemi një grup që vijmë nga Italia, nga Toskana. Qyteti është i mrekullueshëm dhe atmosfera është fantastike.”
“Vijmë nga Greqia. Kemi zgjedhur derrin si simbolikë sepse qyteti ynë ka shumë derra. Atmosfera është fantastike.”
“Vijmë nga Tuzi nga Mali i Zi dhe jo nuk është hera e parë. Përfaqësojmë zotrat grekë dhe e kemi si mesazh që gjithmonë e mira fiton.”
“Shpresoj që të kënaqemi të gjithë. Për ta mbyllur njëherë e mirë sepse në vitin ’94 e kam hapur me Charlie Chaplin dhe po e mbyll pas 30 vitesh më Charlie Chaplin.”
Edicioni i këtij viti bëri bashkë 400 artistë të ndarë në 28 grupe të ndryshme.
“Ne ndihemi shumë të lumtur kur shohim që shumë qytetarë të Shqipërisë dhe të huaj zgjedhin Korçën, por sot u ndje shumë më tepër atmosfera. Siç e shihni grupet kanë qenë të shumta. Ne jemi 28 grupe me 400 persona të veshur Karnaval. Tematika të ndryshme, kostume të ndryshme.”
Pjësëmarrësit përshkuan disa zona të qytetit përfshirë edhe pazarin, një nga atraksionet më të vizituara në qytet.
Ashtu si çdo vit, aktiviteti i Karnavaleve ishte zgjedhur për të bërë çeljen zyrtare të sezonit turistik në Korçë. Autoritetet kanë bërë gati një kalendar të pasur me aktivitete gjatë gjithë verës kryesisht gjatë fundjavave për të tërhequr sa më shumë vizitorë.
Klan News