Mjaft të rinj në qytetin e Korçës, herë, për shkak të kuriozitetit të moshës dhe herë për tu dukur sa më modernë, kanë rënë në grackën e pluhurit të bardhë, duke u bërë shpesh edhe viktima të tij.

Pjesa më e madhe  e atyre, që kërkojnë ndihmë të specializuar, janë të rinj dhe të reja të moshës 20 deri 25-vjeç, të cilët e kanë përdorur për vite të tëra helmin vrasës, por që kanë vendosur të heqin dorë prej tij.

Ylli Qirinxhi: “Qendra filloi aplikimin e përdorimit të mjekimit me personat të cilët përdorin kryesisht heroinën, personat që përdorin heroinën janë përdorues me shiringë të drogës dhe numri i tyre ka ardhur vazhdimisht duke u rritur. Dita e parë ishte ndoshta njohja, po sot ne numërojmë rreth 60 persona të cilët frekuentojnë qendrën”.

Dy prej këtyre të rinjve 23-vjeçar tregojnë se ka qenë thjesht kurioziteti, që i ka shtyrë ta provojnë drogën, por që më pas nuk kane mundur të dalin nga varësia e saj.

Daniela Zisi: Prej sa vitesh përdorni drogë?

“Prej 8 viteve”.

Daniela Zisi: Çfarë lloj?

“Heroinë të kuqe”.

Daniela Zisi: Po ku e gjeni?

“E blinim”.

Daniela Zisi: E blinit në Korçë?

“Po, në Korçë”.

Daniela Zisi: Sa kushtonnnjë dozë?

“10 mijë lekë grami”.

Daniela Zisi: Pastaj ku vendosët të rrinit?

“Qëkur u hap qendra, erdha u regjistrova këtu. Po bëj 2 muaj tashi ndihem disi më mirë”.

Daniela Zisi: Sa vjeçe jeni dhe prej sa vitesh përdorni drogë?

“Jam 23-vjeçe, përdor prej 6 muajsh”.

Daniela Zisi: Çfarë lloj droge?

“Është heroinë”.

Daniela Zisi: Po si e siguronit?

“Me lek borxh, ndonjëherë detyroheshim të shisnim diçka që na ndodheshin, diçka me vlerë. Vetëm e vetëm që ta merrnim atë”.

Ta fillosh drogën, thonë këta të rinj, është mjaft e lehtë, por për t’u shkëputur prej saj në kohën e duhur, ka raste, që bëhet edhe e pamundur, duke apeluar për të gjithë moshatarët, që të mos joshen nga vdekja e bardhë, që blihet me para./tvklan.al