Një aksident me makinë rreth mesnatës u ka marrë jetën tre persona në Kosovë. Siç raporton Klan Kosova, një makinë ka rrëshqitur prej lagështirës në rrugën Gjilan-Prishtinë dhe ka rënë në Liqenin e Badovcit.

Policia, zjarrfikësit dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Për aksidentin tragjik ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.

“U informova se organet përkatëse janë angazhuar maksimalisht me rastin për ta zbardhur atë. E në të njëjtën kohë, i bashkohem thirrjes për kujdes të shtuar gjatë këtyre kushteve të pafavorshme atmosferike që shtojnë rreziqet përgjatë lëvizjes me mjete automobilistike”, tha Konjufca.

“Duke bashkëndjerë dhimbjen e familjarëve, si dhe miqve të viktimave, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e tyre dhe shpresoj të gjejnë forcën për të përballuar këtë tragjedi tronditëse. U prehshin në paqe!”, shtoi ai.

/tvklan.al