Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë pritet të bëhet për një periudhë shumë të shkurtër kohore. Kjo javë ose java e ardhshme besohet se do të kurorëzoj raportet bilaterale në nivel më të lartë. Burimet e Klan Kosovës nga qeveria e Maqedonisë, bëjnë të ditur se Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit, do të mbështes kandidatin e VMRO-DPMNE-s për president të Maqedonisë, vetëm nëse ekzekutivi në Shkup krijon raporte diplomatike me Kosovën.

Pa dashur të futet në kalkulime të brendshme politike të Maqedonisë, qeveria e Kosovës është e gatshme t’i lidh këto raporte menjëherë.

Hajredin Kuqi: “Nëse e pyetni republikën e Kosovës, që sot. Do të thotë ne nuk vejmë asnjë kusht, nuk kemi as afat kohor, sikur që nuk imponojmë asnjë shtet në botë që të vej marrëdhënie diplomatike me ne”.

Kosova sipas Kuqit nuk preferon logjikën e kushtëzimeve për të ndërtuar raporte me vende që ka njohur shtetin më të ri në botë. Zv/kryeministri kosovar, pret që edhe Mali i zi të krijojë raporte diplomatike sipas pas fitores së Gjukanovicit në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën të dielën.

Hajredin Kuqi: “Zyrtarisht asnjë kusht nuk ka ardhur, në anën tjetër dhe ne nuk i pëlqejmë shumë kushtet”.

Është një arsye tjetër sipas Kuqit që pengon vendet e rajonit të krijojnë raporte diplomatike me Kosovën. Kjo është presioni që po bën Serbia te mali i zi dhe Maqedonia që të mos e bëj një gjë të tillë./tvklan.al