Lajme Arkiva 2003

Kostoja e lartë e provës së ADN-së është bërë pengesë për vijimin e gjyqit ndaj të akuzuarit  të bandës së Lushnjes. Ata i janë nënshtruar procesit gjyqësor në Gjykatën e Elbasanit.

Pjesëtarët e kësaj bande tashmë janë dënuar me vendim të formës së prerë me 157 vjet burg gjithsej për krijim bandash të armatosura si dhe krime të rënda. Tani ata po gjykohen për vrasjen e Artur Dajës, koka e të cilit u ekspozua e prerë në sheshin e qytetit si shenjë që tregonte “larjen e hesapeve” me bandën rivale.

Për këtë vepër ata u shpallën njëherë  të pafajshëm por Gjykata e Lartë e riktheu çështjen për gjykim. Prokuroria ka paraqitur si provë  në këtë proces edhe materiale të cilat u përkasin autorëve dhe që mbajnë gjakun e viktimës Artur Daja.

Pasi u vendos që analiza e ADN-së të bëhej në Itali, kjo e fundit ka kërkuar një shumë të madhe parash , e cila mesa duket nuk  mund të përballohet nga shteti shqiptar, ndonëse përbën një provë të fortë për të vërtetuar akuzën. Nga ana tjetër mbetet ende e pasqaruar përse viktima Artur Daja, nuk figuron i vdekur në listat e gjendjes civile./tvklan.al