Kryetari i LSI Ilir Meta ka adresuar të tjera akuza të ashpra në drejtim të kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Rama. Në konferencën e gruas për Integrim Meta tha, se konsensusi që shkatërroi kushtetutën po funksionon dhe për kodin zgjedhor. Meta e cilësoi këtë të fundit si kodi i vjedhjes së votës.

Ilir Meta: Këta kanë dal lakuriq sot para gjithë shqiptarëve dhe do dalin çdo ditë e më shumë përpara të gjithë ndërkombëtarëve si çifti babëzia. U them për herë të fundit kardiologut të shokut Hysni dhe nipit të shokut Spiro, se Ilir Meta mbetet student i dhjetorit dhe me Ilir Metën do të jetë e gjithë Shqipëria, sepse Ilir Meta kur doli në dhjetor, nuk doli për t’u bërë deputet dhe kryeministër, ndaj Ilir Meta edhe sot ka dal dhe do të dalë në këtë betejë jo për t’u bërë kryeministër, por për të mbrojtur lirinë e shqiptarëve nga pinjollët e diktaturës dhe nga njerëzit e kapur, nga karteli i krimit dhe jo i ndërtimit.”

Meta tha se LSI mbetet e vendosur t’i shkojë deri në fund aksionit të nisur tashmë në mbrojtje të votës. Në këtë pike ai sqaroi se forca që drejton nuk kërkon asnjë përfitim personal veç garantimi të zgjedhjeve demokratike./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi