Lajme Arkiva – TV Klan 20003

Problemet brenda gjirit të mazhorancës, po shtohen dita ditës dhe problemet e qeverisjes. Situata e rendit publik po rezulton e rëndë dhe e komplikuar.

Vrasje të tipit mafioz që kanë mbetur pa autorë, kriminel ende të pa kapur, punonjës policie të inkriminuar, zyrtarë që bashkëpunojnë me elementë të dyshimtë dhe mbi të gjitha goditjet ndaj vetë uniformave blu, e kanë vënë në pikëpyetje mënyrën se si po drejtohet Ministria e Rendit. Por deri tani, përgjegjësia ka mbetur vetëm tek disa drejtues apo polic lokal.

Kryeministri i vendit, i cili nuk arriti të kalojë dekretin për emërimin e Ministrit të Jashtëm pak kohë më parë, duket se i ka duart e lidhura për të ndërmarrë ndonjë tjetër ndryshim në kabinet, për shkak të opozitës brenda në parti. Po kështu, lufta e brendshme po i nxjerr në plan të dytë problemet që shqetësojnë qytetarët. Duket se askush nuk ka ndërmend, që në një situatë të tillë, të ndërmarrë një reformë të thellë në rend.  

Ndryshimet në kupolën e rendit, apo drejtoritë e policisë, mund të cenonin interesat e atyre që qëndrojnë pas emërimeve, duke rrezikuar kështu rritjen e numrit të të pakënaqurve. Përpara fushatës elektorale dhe kongresit socialist, një reformë e tillë do të tingëllonte një faturë me kosto të lartë, por shtyrja në kohë dhe situata që sa vjen dhe përkeqësohet, mund të shkaktojë një kosto shumë herë më të lartë se sa statuskuoja e rrezikshme ku po qëndron qeverisja e majtë./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj