Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Konferenca e Partisë Socialiste në Tiranë zyrtarizoi ndarjen përfundimtare mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të kryeministrit Nano. Në po të njëjtën sallë, si 7 muaj më parë, socialistët shfrynë urrejtjen e akumuluar gjatë kësaj periudhe ndaj njëri-tjetrit me akuza, sharje dhe ofendime.  

Pas fjalës rikandiduese të kryetarit të PS së Tiranës Musa Ulqini, ish-kryeministri Meta shpalosi platformën e tij, duke kërkuar ndryshim të qeverisjes dhe të vendimeve të Kongresit të Dhjetorit. Sipas Metës, qeveria Nano është qeveria më e korruptuar e vlerësuar si e tillë dhe nga ndërkombëtarët.  

Ilir Meta: “Partia Socialiste vuan nga mungesa e demokracisë së brendshme, duke marrë përditë e më shumë trajtat e një partie autokratike, e njëshit dhe për njëshin, ku vendimet kolegjiale dhe të debatuara janë kthyer në tabu e herezi dhe ku zëri i arsyes është zëvendësuar nga gjithë pushtetshmëria e pakontrolluar dhe arrogante e kryetarit të saj. Partia Socialiste është shndërruar tashmë në parti eliminimit politik, ku filozofia e përjashtimit, që është dominuese në çdo nivel të drejtimit të saj, ka zhdukur përfundimisht vlerat e çmuara të solidaritetit, bashkëpunimit dhe kolegjialitetit. Partia Socialiste po ekspozohet gjithnjë e më shumë drejt korruptimit nga grupet e oligarkëve të rinj, të cilët po e përdorin pushtetin politik të saj, në mbrojtje të bizneseve të tyre. Ne çmojmë, se arsyeja kryesore e kësaj gjendje të rëndë brenda nesh është politika përçarëse e frymëzuar dhe ekzekutuar nga kryetari i partisë dhe klani i tij, e cila kulmoi me kongresin e turpshëm të Dhjetorit 2003. Kjo krizë partiake shumëplanëshe politike, programore përfaqësimi, nuk mbulohet nga alternativa e fërshëllimës. Ajo është reflektuar në të njëjtat përmasa edhe në qeverisjen tonë, pasi Partia Socialiste ka prodhuar vitet e fundit, një qeveri me konflikt të thellë interesash. Kjo qeverisje është vlerësuar nga raportet e institucioneve ndërkombëtare, si një nga qeveritë më të korruptuara në botë, çka ka ndikuar negativisht në procesin tonë të integrimit në BE dhe strukturat euroatlantike…” 

Salla ka reaguar shpesh herë gjatë fjalës së Ilir Metës, ndërsa sekretari i përgjithshëm Ruçi, i ka kthyer këtë përgjigje deputetit Meta.  

Gramoz Ruçi: “Gjuha dhe zhargoni i përdorur dhe anatemimi, i socialistëve, apo i qeverisjes së saj, nuk ka asnjë dallim nga ato dhe s’është asgjë e re, se ne këto të gjitha i kemi dëgjuar nga lidershipi i PD me emrin Berisha. Së dyti, i dashur Ilir, s’ka dy PS, ka vetëm një, pra s’ka një PS të mirë, kur ty dhe mua të bënë nënkryetar apo sekretar të përgjithshëm, të bënë deputet, të bënë ministër, të bënë zv/kryeministër dhe të bënë dhe dy herë kryeministër dhe atëherë është shumë e mirë dhe nga ana tjetër është e keqe kur ti s’je kryetar, s’je sekretar, zv/kryeministër apo kryeministër. Në qoftë se ju kërkoni të dëmtoni Partinë Socialiste, në gjuhën popullore të Tepelenës time, dhe të Skraparit tënd dhe gjithë shqiptarëve, kjo do të thotë “bukëshkalë”.  

Me tone të ashpra është shprehur dhe Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli, ish-ministër i Financave në qeverinë Meta. 

Anasatas Angjeli: “Dhe në emër të këtij konflikti interesash, mund të dali kush të dojë, ku të dojë, që nga Berisha e kushdo tjetër këtu brenda, jo në televizorë, po ku t’i dojë qejfi unë në emër të këtij interesi nuk do t’i mbështesë dhe le të thonë çfarë të duan. Dhe në qoftë se do t’i kërkojë ndonjëherë falje PS është kjo ditë sot, dita e festës së PS dhe dita e Konferencës së PS, që kam mbështetur disa persona në Partinë Socialiste me punën time, me vullnetin tim, me të gjitha format, që të arrijnë në PS, të kontribuojnë në PS dhe ata kanë kurajën, dalin ekraneve dhe hedhin baltë mbi udhëheqjen e partisë, mbi partinë, mbi ju të gjithë. Mallkuar qoftë ajo ditë që i kam mbështetur dhe i kam marrë nga dora!” 

Edi Rama: “Shqiptarët janë aty, prapa dyerve të konferencave tona, nëpër Shqipërinë që kërkon prej nesh të jemi lokomotiva e zhvillimit dhe jo një klub sherresh e intrigash në mes të fshatit, ku burrat nuk ndajnë dot muhabetin për vijën e ujit. Propozimi im është fare i thjeshtë, nuk e di se sa është statutor. Kjo konferencë le të marrë kurajën dhe t’i propozojë KPD-së që në 400 ditët e ardhshme të mos lihet më gjumë në PS, kush e përballon le të rri, kush nuk e përballon le të iki”. 

Kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano ka pranuar se ekziston korrupsioni dhe varfëria, megjithatë është më i madh angazhimi i qeverisë së tij për të zbutur këto fenomene. Kryeministri akuzoi ashpër Ilir Metën, si dhe deputetët që e përkrahin atë, duke deklaruar se ata tashmë nuk mund të bashkëjetojnë më me familjen e madhe socialiste. 

Fatos Nano: “Por si çdo organizëm i gjallë edhe PS, ka jashtëqitjet e saj. Nëse ata që praktikojnë hedhjen e plehrave në ambientin tonë të përbashkët, sot vendosin të hidhen dhe vetë jashtë saj, kjo nuk do të thotë, se kjo shtëpi është e keqe, kjo do të thotë thjeshtë, se kjo shtëpi s’mban plehra brenda, aq më pak kjo nuk do të thotë, që atyre apo Berishës duhet t’u dhurojmë shtëpinë moderne apo europiane që kemi ndërtuar. Prandaj nuk besoj se mund ta prishë kush festën…”/tvklan.al 

Gazetare: Arta Tozaj