Kriza e tejzgjatur e medikamenteve në qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza ka çuar në zbulimin e disa shkeljeve të kryera në procedurat e tenderimit si dhe në stoqet e ilaçeve të skaduara në farmacitë e kësaj qendre. Ekzistenca e një sasie të konsiderueshme preparatesh të skaduara, anomali në tenderët për ilaçet dhe në emërimet për postet drejtuese të institucionit shëndetësor më të rëndësishëm në vend pohohen dhe nga drejtoresha e re Gjeorgjina Kuli e për këtë shkak të gjitha tenderët dhe emërimet do të kalojnë në sitë pasi që gjithçka do t’i nënshtrohet një kontrolli të imtësishëm të ministrisë së Shëndetësisë.

Gjeorgjina Kuli: “Kemi konstatuar disa anomali mund të them, jemi befasuar me disa gjëra të cilat kanë të bëjnë me mbistrukturën, pra ngarkesën në strukturë të personelit, anomali në procedurat e prokurimit, zvarritja e procedurave të tenderimit, përgatitja e materialeve jo brenda kushteve të kërkuara nga agjencia e prokurimit publik etj. Për konkluzionin e tyre t’i mbështetemi të dhënave dhe raportit që do na japi auditimi që do të fillojë ditën e hënë.”

Ndërsa foli për shkeljet drejtoresha Kuli nuk përmendi emra apo shifra konkrete për dëmet që i janë shkaktuar QSUT-së, por gjithçka pritet të bëhet publike pas përfundimit të auditimit./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Petrit Xhaferri