Një vit i suksesshëm por edhe me çështje që duhen përmirësuar, kështu e ka cilësuar Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, veprimtarinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në analizën e këtij institucioni për vitin 2008, ministrja Godo i kushtojë rëndësi reformimit që po ndërmerret në sektorin e shëndetësisë.
Anila Godo: “Reforma spitalore e cila tashmë ka nisur, sigurisht do të sjellë, do të ndryshojë imazhi si në spitalet e tjera të republikës edhe në Qendrës Spitalore Universitare. Për shkak se kjo reformë përmban atë që ne e quajmë një decentralizim jo vetëm të buxheteve, por të përgjegjësive, të kompetencave gjë që për ju do të thotë më shumë fuqi, po kjo më shumë fuqi dhe me shumë punë, do të thotë që do të jeni më të aftë të vendosni vetë për prioritet tuaja”.
Drejtoresha e Qendrës Spitalore Gjerogjina Kuli, theksoi se të dhënat kryesore për vitin 2008, tregojnë një përmirësim të cilësisë së shërbimeve. Por ajo u ndal dhe tek problemet e këtij institucioni.
Gjerogjina Kuli: “Për sa i përket aktivitetit të konsultave unë do të thosha që kjo është pika më e dobët e aktivitetit për 2008-n. Numri i konsultave është shumë i madh, por numri i mandateve, i konsultave të mandatuara janë 90626. Pra ky është një numër që na bën dhe na vë përpara detyrimeve të zbatimit, të sistemit të referimit”.
QSUT si institucioni shëndetësor më i madh në vend, mban peshën dhe numrin më të madh të vizitave në të gjithë Shqipërinë. Për këtë arsye ministrja Godo, kërkojë minimizimin e vizitave që mund të kryhen edhe në spitalet e rretheve./tvklan.al
Operatori: Petrit Xhaferri