Kriza ekonomike duket se po step shqiptarët për të shpenzuar për mallra luksi. Një gjë e tillë konstatohet në tregun e elektroshtëpiakeve. Por një tjetër anë e medaljes reflektohet për mallrat e zakonshëm.
Julian Mane, administratori i rrjetit më të madh të dyqaneve të pajisjeve elektroshtëpiake në vend Neptun thotë se këtë fillim viti shqiptarët po blejnë më pak mallra luksi.
Julian Mane: “Janari i këtij viti ka filluar po themi disi më poshtë se parashikimet. Ka një rënie në produktet që ne i quajmë të luksit, televizor të markave shumë të mira apo edhe të shtrenjtë, por nga ana tjetër dua të theksoj te produktet bazë nuk vihet re ndonjë rënie e theksuar edhe për shkak të çmimeve mjaft të favorshme krahasuar me vitin e kaluar.”
Ritmet e rritjes janë të pranueshme e Neptun duket i mbrojtur nga kriza. Dy dyqanet e reja kanë hapur dyert për konsumatorin në Vlorë e kryeqytet, duke çuar aktualisht në 9 numrin e dyqaneve në Neptun.
Julian Mane: “Faktikisht kjo tendencë vihet re në të gjithë zonën e Ballkanit ku ne operojmë. Pra nga të dhënat që ne kemi dhe në tregjet fqinje si Maqedoni, Kosovë apo Serbi, vihet re e njëjta tendencë.”
Megjithatë tregu i elektroshtëpiakeve vijon të mbetet fitimprurës. Vetëm për këtë vit Neptun ka në plan hapjen e dyqaneve dhe në 5 qytete të tjera. Duke arritur në 13 dyqane në të gjithë vendin. Ndërkaq në Shqipëri janë të pranishme edhe dy kompani të tjera ndërkombëtare të elektroshtëpiakeve./tvklan.alGazetar: Fjorald Zguro