Gjyqtari i Apelit Shkëlqim Miri dyshohet të jetë përfshirë në një aferë korruptive gjatë gjykimit të 39 vjeçarit Gentian Doda, i akuzuar për një krim të kryer në vitin 1997 në Burrel. Doda u dënua fillimisht me 20 vjet burg për vrasje, por në rigjykimin e tij në vitin 2016 gjykata e Matit ndryshoi akuzën duke e fajësuar vetëm për “plagosje të rëndë”. Vendimi i Matit u la në fuqi nga Apeli Tiranë, ku ishte pjesë edhe gjyqtari Miri. “ABC News” sjell kronologjinë gjyqësore të çështjes penale ndaj Dodës.

Gjykimi ndaj një personi të akuzuar për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 1997 në Burrel dyshohet të jetë “strumbullari” i akuzës për “korrupsion” nda gjyqtarit të Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri. Prokuroria ka dyshime se gjyqtari ka marrë një ryshfet për një vendim të favorshëm ndaj Gentian Dodës, i ekstraduar vitin 2012 nga SHBA.

Gjyqtari ka qenë pjesë e një tresheje të Apelit që në 7 qershor 2017 ka lënë në fuqi dënimin e dhënë me 8 vjet burg të Gjykatës së Shkallës së Parë Mat. Kjo gjykatë në vitin 2016, rigjykoi nga zero akuzat e ngritura ndaj Dodës. Në vendimin përfundimtar gjykata vendosi ndryshimin e kualifikimit të veprës penale ndaj Dodës nga “vrasje me paramendim” në “plagosje të rëndë me dashje”. Ky është vendimi i Gjykatës së Matit, që 20 vjet pas vrasjes së shtetasve Gazmir Deda e Asllan Gjoka në Burrel vlerësoi se Doda ishte përgjegjës vetëm për plagosje. Gjykata e Matit arsyetonte se mes viktimës dhe të pandehurit nuk ka pasur ndonjë konflikt të mëparshëm dhe se vrasja nuk kishte pasur paramendim. E njëjta gjykatë ka zeruar akuzën për “armëmbajtje pa leje”, me pretendimin se akuza ishte amnistuar në vitet pas ngjarjes. Në këtë gjykim prokuroria kërkoi dënimin e Dodës me 20 vjet burg për akuzën e “vrasjes me paramendim”.

Por përse u rigjykua Gentian Doda?

Katër vjet pas ngjarjes Doda u dënua më mungesë me 20 vjet burg. Vendim që u la në fuqi edhe në Apel dhe në Gjykatën e Lartë. Dhjetë vjet më vonë ai u arrestua në SHBA, prej nga u ekstradua në Shqipëri. Pas mbërritjes ai kërkoi rishikim të vendimit. Pas disa orvatjesh nëpër të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor ai fitoi këtë të drejtë.

Përmes këtij vendimi, të siguruar nga “ABC News”që mban datën 24 shkurt 2016, Gjykata e Lartë pranoi kërkesën e Dodës. Kolegji Penal prishi vendimin e Shkallës së Parë Mat dhe Apelit Tiranë për dënimin me 20 vjet burg dhe e dërgoi çështjen në Mat për rigjykim nga zero. Aktualisht dosja gjendet në Gjykatën e Lartë për gjykimin e rekursit të prokurorisë ndaj dënimit me 8 vite burg./abcnews.al