Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Të gjitha firmat që tregtojnë inerte, hekur apo dërrasa përgjatë rrugëve kryesore të kryeqytetit ose brenda vijës së verdhë, duhet të largojnë mallrat e tyre brenda 5 ditëve. Ky është afati që kryetari i bashkisë Edi Rama iu ka vënë këtyre bizneseve që ndotin mjedisin e kryeqytetit.
Nuk ka justifikim është shprehur Rama, gjatë takimit që u zhvillua me një grup tregtarësh dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Tashmë është marrë një vendim, policia bashkiake prej kohësh ka evidentuar problematikën e tyre. Përfaqësues të firmave inerte kanë kërkuar më tepër kohë për heqjen e mallrave, por Rama ka qenë i prerë.
Kryebashkiaku Edi Rama:- “Besoj që e ndamë në dy pjesë zbatimin e këtij vendimi, pjesa e parë dhe e pa negociueshme është pjesa që ka të bëjë me largimin e menjëhershëm nga qyteti i Tiranës, pra daljen jashtë vijës së verdhë të qytetit të Tiranës, të të gjitha pikave që në hapësirën e qytetit grumbullojnë dhe shpërndajnë zhavorr dërrasa thasë me çimento e kështu me radhë, pra që janë pika të një ndotje të drejtpërdrejt të ambientit dhe të shkatërrimit të drejtpërdrejt të infrastrukturës dhe të shqetësimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve”.
Për pjesën tjetër me aktivitet hekurin, kryebashkiaku Rama thotë:
Kryebashkiaku Edi Rama:- “Presim ditën e hënë një dokument, ku ata do të na bëjnë me dije mendimin e tyre dhe pretendimin e tyre për modalitetet në kohë”./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti