Reforma në shëndetësi është një nga prioritet e qeverisë në katër vitet e ardhshme.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të godinës së re të Fakultetit të Infermierisë, kryeministri Sali Berisha kërkoi gjithashtu bashkëpunimin e bluzave të bardha për këtë reformë.

Sali Berisha: “Këto 4 vite në një asket mund ti quaj vite të shëndetësisë. E kam thekuar dhe po e theksoj prapë, prova më e madhe e qeverisjes sime  në këto 4 vite do jetë reforma në shëndetësi. Është jetike që të gjejmë të gjitha format për ta bërë këtë sistem sa më funksional, është jetike të shtrijmë më shpejtësi të madhe partneritetin publik-privat.” 

Lufta kundër korrupsionit në shëndetësi mbetet një tjetër përparësi e qeverisë ka deklaruar kryeministri Berisha.

Sali Berisha: “Lufta kundër korrupsionit në sistemin e shëndetësisë është jetike dhe vendimtare për ta vendosur bluzën e bardhë në piedestalin që ka patur dhe duhet të ketë në të gjitha kohërat. Qeveria në 4 vjet ka dyfishuar rrogat dhe unë ju garantoj ju se qëndrimi ynë ndaj rrogave dhe trajtimit tuaj dhe të mjekëve do të jetë gjithnjë e më agresiv. Dekani me të drejtë kërkoi që tu lihen të ardhurat dytësore që të gjitha me buxhetin e vitit 2010, i janë lënë universiteteve, do t’u lihen spitaleve.”

Ndërtimi i një sërë urgjencash në të gjithë vendin, përmirësimi i flotiljes së helikopterëve si dhe ndërtimi i Universitetit të Mjekësisë janë disa nga objektivat që kryeministri Sali Berisha ka deklaruar përpara studentëve dhe pedagogëve të Infermierisë./tvklan.al