Ka përfunduar 3 muaj para afatit segmenti i rrugës nacionale në Sauk. Ky segment rrugor prej 1.4 km dhe gjerësi 11m ka kushtuar 1.3 milion euro dhe është investuar nga buxheti i shtetit. Në inaugurimin e kësaj arterie të rëndësishme ishin të pranishëm kryeministri Sali Berisha, ministri i Transporteve Sokol Olldashi dhe deputeti i zonës njëkohësisht ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango.

Pas prerjes së shiritit kryeministri Sali Berisha u shpreh se restaurimi i kësaj rruge do të lehtësojë qarkullimin për qytetarët e zonës së Saukut, Farkës dhe Elbasanit.

Sali Berisha: “Zgjidhja e trafikut të qytetit janë unazat, për të cilat mbetem shumë i vendosur të bashkëpunoj me qeverinë vendore në mënyrë që të lehtësojmë Tiranën nga trafiku, se ka mbetur realisht jetime, po a mund të pranoj unë kryeqytetin jetim. Kurrë, se kryetari po merret me partinë dhe jo me bashkinë.”

Rruga është përshtatur sipas standardeve më të larta me korsi parkimi, trotuar, ndriçim dhe rehabilitim të të gjithë rrjetit inxhinierik të ujërave të bardha. Ky segment rrugor pritet të shërbejë si një bulevard për banorët e Saukut, pasi unaza që pritet të bëhet së shpejti do të bëjë të mundur lidhjen e Elbasanit me Tiranën duke shmangur kalimin mes qendrës së Saukut./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami