Franca do të mbështesë kandidimin e Shqipërisë për në BE në çdo datë që kjo kërkesë do të shtrohet. Kështu ka deklaruar ministri i jashtëm francez Bernard Kushner gjatë takimit që ka patur me kryeministrin Sali Berisha në vizitën që ky i fundit dhe ministri i jashtëm Basha po zhvillojnë në Francë me ftesë të presidentit Nikolas Sarkozy. Sipas Kushner kandidimi i Shqipërisë në BE nuk do të ketë pengesa as nga Franca as nga vendet e tjera të BE-së.
Kushner ka theksuar se kryeministri Sali Berisha dhe qeveria e tij po veprojnë mjaft mirë duke quajtur integrimin në BE, një proces të pandalshëm, madje Kushner ka deklaruar se Shqipëria ka bërë arritje shumë të mëdha, këto të prekshme dhe në sy të botës.
Ministri i jashtëm francez ka shprehur dhe të gjithë mbështetjen e vendit të tij përsa i përket liberalizimit të vizave. Gjatë takimit që kryeministri Sali Berisha ka patur me Kushner është diskutuar dhe mbi situatën ende rajon dhe për Kosovën.
Në agjendën e kryeministrit ish përcaktuar dhe pjesëmarrja në konferencën e organizuar nga MEDEF, shoqata franceze e Biznesit ku të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësuesit më të rëndësishëm të biznesit francez.
Kryeministri Berisha është ndalur dhe në çështjen e ekonomisë duke shprehur bindjen se ekonomia shqiptare do t’u rezistojë pasojave të krizës globale, duke njohur rritje edhe për vitin 2009.
Në këtë kontekst, Kryeministri tha se të gjithë investitorët që kanë nisur projektet e tyre në Shqipëri, nuk kanë njohur lëkundje, e aq me pak tërheqje nga projektet e tyre madhore, me gjithë krizën ekonomike globale./tvklan.al