Kryeministri Berisha e ka ftuar edhe njëherë nga qyteti i Krujës lidershipin socialist për dialog, por duke theksuar se ai mund të zhvillohet brenda institucionit të parlamentit.

Në këtë kontekst, kreu i qeverise u shpreh qartë se nuk pranon asnjë lloj j kompromisi në kurriz të shtetit ligjor.

Sali Berisha: “Duke ardhur këtu tek ju nga zyra tek po punoja. Tek dritarja ime një grup qytetarësh po protestonin, dola dhe i përshëndeta, i përshëndeta në mënyrë të sinqertë. Sepse në këtë sistem dhe në këtë regjim, dhe në këtë pushtet çdo njeri ka, do ketë tërësisht të garantuar të drejtën e protestës së lirë për çfarëdo që ai mendon. Duke mbetur gjithmonë i hapur dhe ftues për zotin Rama, dua ti them këtu nga krye e Skënderbeut një gjë. Jam dhe do mbetem i hapur në respekt të plotë të rolit jetik të rëndësishëm të opozitës dhe për bashkëpunimin me të. Por jo më me qejt të rrallë dhe kocka mafioze të tipit Gramoz Ruçi. Por dhe Enver Hoxhën po ta zgjosh nga varri harroje se mund të ndryshosh vendimet e gjykatave të këtij vendi të lirë, apo mund të shkelmosh shtetin ligjor. Jo. Kjo nuk  mund të ndodh, ndaj dhe mos i mashtro njerëzit për karrigen tënde, po hajde të ulemi në parlament, të vazhdojmë reformat se vendimet e gjykatave janë të pa prekshme. Ka vendos gjykata që nuk mund të ketë rinumërim dhe atë vendim e ka marrë dhe atë vendim e ka marrë dhe kundër teje dhe kundër meje. Sepse edhe ne kërkuam rinumërimin e Fierit, e hodhi poshtë. Atëherë ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të punojmë së bashku për zgjedhjet e ardhshme”.

Ftesa drejtuar Ramës erdhi gjatë inaugurimit të fillimit të punimeve për asfaltimin e rrugës së re Krujë-Sari Salltik.

Gjithashtu, gjatë këtij inaugurimi, kreu i ekzekutivit garantoi përmbushjen e premtimit elektoral të kësaj mazhorance, se shqiptaret do të lëvizin pa viza brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm.

Sali Berisha: “Ky vit ka qenë viti i madh ën historinë tonë. Viti me të cilin ne që nga koha e Skënderbeut e gjeri më sot shënuan hapat më të mëdha, arritjet më historike në drejtim të integrimit tonë në NATO, integrimit tonë në BE. Jemi të vendosur me përkushtim të madh të bëjmë çdo përpjekje që ju 6 mujorit të parë të keni vendimin përfundimtar të BE-së për heqjen e vizave. Këtë prisni ju, këtë kanë dyshuar baballarët tuaj, këtë kanë pritur shqiptarët, këtë po e shndërrojmë në realitet”.

Përsa i përket investimit, bëhet fjalë për ndërtimin e një rruge 6.3 kilometra të gjatë që lidh qytetin e Krujës me një prej zonave turistike më të njohura të saj.

Ky investim kap një vlerë prej 342 milionë lekësh, të financuara nga qeveria. Punimet pritet te përfundojnë brenda 15 muajsh.

Duke folur për investimet publike, kreu i mazhorancës tha se zhvillimi i infrastrukturës rrugore mbetet prioritet kryesor i kësaj qeverie dhe në mandatin e dytë të saj./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro