Kryeministri Berisha i është rikthyer sërish qytetit të Vlorës për të vazhduar serinë e inaugurimeve dhe inspektimeve në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve dhe sulmeve të herë pas hershme të opozitës, apo mendimet ndryshe që janë shfaqur brenda selisë blu, kryeministri ka komentuar duke u shprehur, se një shtet demokratik si ai i joni, diverisiteti i mendimit nuk mund të ndrydhet.

Sali Berisha: “Ne kemi dalë nga botë e hekurosur, ne jemi bota e diversitetit dhe kjo është merita e demokracisë. Monopol të vërtetën nuk ka njeri.”

Duke vazhduar komentin e tij për sulmet e opozitës, Berisha duke inspektuar punimet për ndërtimin e TEC-it të Vlorës, ka deklaruar se kjo mazhorancë në ndryshim nga pakica ka prioritet të sajën ndërtimin e Shqipërisë.

Sali Berisha: “Kjo qeveri është e angazhuar në ndërtim universitetesh, autostradash, termocentralesh, paqe industriale kudo, në vepra të mëdha. Përballë saj është opozita e mitingjeve, për të ekzekutuar të vdekurit. Uroj që ky kurs të ndryshojë sa më shpejt, sepse është në interesin më të mirë të vendit.”

Duke vlerësuar ecurinë e projektit jetik të ndërtimit të TEC-it të Vlorës, Berisha ka kërkuar nga firma ndërtuese të përfundojë punimet përpara afatit të vendosur, maj të vitit të ardhshëm.

Lidhur me vonesat që janë krijuar për ndërtimin e rrugës transballkanike, kryeministri ka bërë përgjegjëse bashkinë e qytetit të Vlorës.

Sali Berisha: “Problem shumë serioz bashkia që nuk po merr përsipër të gjitha detyrimet që ka. Nuk e kuptoj unë këtë qëndrim, qeveria ka dhënë të gjitha fondet kjo është e vërteta, ne kemi dhënë fonde. Përndryshe detyrohemi të përdorim progorativa tjera.”

Më pas Berisha ka prerë shiritin e inaugurimit të ndërtesës së re të universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, me vlerë 2 milion e 200 mijë dollarë.

Përpara studentëve dhe stafit pedagogjik të këtij universiteti Berisha ka premtuar mbështetje të plotë financiare të qeverisë për të gjithë universitetet e vendit, për formimin e intelektualëve, specialistëve dhe ekspertëve shqiptar në fusha të ndryshme.

Sali Berisha: “Por godina e re që inaugurojmë ne sot është dëshmi e një politike  pro arsim, është dëshmi e mbajtjes së premtimeve nga kjo qeveri, e cila vendosi arsimin në një ndër përparësitë më madhore të saj.”

Ndërsa më pas kryeministri është ndalur në shkollën e re 9-vjeçare të Novoselës, një investim ky i qeverisë me vlerë 88 milion lekë. Kryeministri ka ripërsëritur përpara nxënësve dhe mësuesve të kësaj shkolle, premtimin e tij për vëmendje maksimale, për arsimin dhe arsimtarët shqiptar.

Në qytetin e Vlorës Berisha është ndalur edhe në shtëpinë e mjekut Koço Kosta, i cili pak javë më parë ra pre e një sulmi me thikë nga një njeri, i cili ende nuk është identifikuar./tvklan.al

Gazetare: Ornela Hila