Kryeministri Sali Berisha, ka premtuar ndërtimin e një Universiteti të Mjekësisë në vend.

Këtë premtim e bëri në ceremoninë e diplomimit të studenteve të mjekësisë në Tiranë. Në fjalën e rastit ai foli edhe për ndërmarrjen e reformave të thella në shëndetësi.

Sali Berisha: “Qeveria do bëjë çdo përpjekje për të mbështetur ju në profesionin tuaj fisnik. Do të ndërmarrë reformat më të thella, në mënyrë që ju të mund të qëndroni në lartësinë e këtij profesioni. Fakulteti i Mjekësisë, i cili udhëheq zhvillimin e mjekësisë dhe të sistemit shëndetësor në tërësi në Shqipëri, do të njohë një reformë të thellë. Shqipëria shpejt do të ketë universitetin e saj mjekësor”.

Sipas kryeministrit zhvillimi i këtij sektori do të përqendrohet në dy drejtime kryesore.

Sali Berisha: “Sistemi publik do të forcohet gjithnjë e më shumë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë qytetarë shqiptar, që të mos gëzojë të drejtën e të gjitha shërbimeve në këtë vend, pavarësisht nga statusi i tij ekonomik. Sikundër do të nxisim me të gjitha mjetet sektorin privat, si një domosdoshmëri për të tërhequr burimet më të mëdha të mundshme financiare në fushën e shëndetit dhe luftës kundër sëmundjes, parandalimit të tyre”.

Në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave për studentet e mjekësisë morën pjesë edhe ministrat Vasili e Tafaj./tvklan.al

Gazetari: Eno Luarasi