Në ditën ndërkombëtare të romëve, kryeministri Berisha ka garantuar përmirësim rrënjësor të jetës së këtij komuniteti. Qeveria ka një strategji konkrete e cila parashikon një plan masash të detajuar që përkthehen në shkollimin, strehimin dhe urbanizimin e zonave ku jetojnë romët. Në planin e qeverisë fëmijët renditen të parët.
Sali Berisha: “Regjistrimi është vetëm një hap i parë për fëmijë. Shkollimi i tyre do të jetë hapi i dytë, ministria e arsimit ka marrë porosi të prerë, do të ngrejë shkollat me ushqim në të gjitha zonat ku jeni ju. E bëjmë këtë sepse varfëria në zonat ku jeni ju është shumë më e thellë se sa në zonat tjera. Ne do bëjmë që fëmijët tuaj të ndjekin shkollat e mesme dhe unë ju garantoj për gjithsecilin prej tyre bursë në konvikt, fëmijët tuaj do ndjekin universitetin. Kemi filluar një politikë strehimi të qartë. Në bashkinë e Korçës janë alokuar fonde për pallate që janë direkt për ju. … strehimi i juaj do të jetë një përparësi madhore e qeverisë sime, në këto 10 vjet nuk duhet të ketë askurrkund geto rom.”
Në takimin me përfaqësues të komunitetit rom, kryeministri Sali Berisha bëri publik dhe një tjetër vendim të qeverisë që drejton. Përfshirjen e romëve në ato kontingjente qytetarësh të cilët i marrin letërnjoftimet e reja falas.
Sali Berisha: “Qeveria do tu japë komunitetit tuaj kartat e ID falas, por ju duhet të bashkëpunoni në këtë proces të regjistrimit që po bëjmë. Se regjistrimi i fëmijëve, regjistrimi i të rriturve është interesi juaj më i mirë. Tek unë keni një lobit të fuqishëm, një njeri që u mbështet me gjithë shpirt. Por kjo është njëra anë, ju duhet të keni njerëzit tuaj të zgjedhur të cilët duhet të thonë fjalën e tyre në komunë, në bashki, në parlament dhe kudo. Kjo kërkon që vota juaj të llogaritet.”
Aktiviteti i organizuar me mbështetjen e PNUD, ministrisë së punës dhe asaj të kulturës synon në një ndërgjegjësim më të madh të publikut ndaj këtij komuniteti./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi