Kryeministri Sali Berisha u premtoi banorëve të komunës së Synejt në Kavajë shtëpitë e të cilëve u shembën si pasojë e një rrëshqitje masive të tokës, se qeveria dhe pushteti lokal do të bëjnë të mundur sistemimin e tyre sa më parë.

Sali Berisha: “Të përfundojnë studimin dhe të ndërmarrim një veprim të fuqishëm, sepse këto janë shembur, por e vërteta është që kjo kodër është jo premtuese. Ne kemi mundësi të plotë të ndihmojmë çdo familje shqiptare në nevojë.”

Më herët, shefi i qeverisë zhvilloi një takim në kuadrin e turit “Shqipëria po ndryshon”, ku inauguroi fillimin e punimeve për rrugën hyrëse të qytetit me një vlerë prej 110 milion lekësh. Kreu i ekzekutivit ka kujtuar investimet e bëra në qytetin dhe rrethinat e Kavajës, të cilat kapin shifrat e 12 milion eurove.

Kryeministri i ka kërkuar qeverisë vendore të gjej truallin e përshtatshëm për të ndërtuar pallatin e sportit, si dhe tregun e qytetit.

Sali Berisha: “Një premtim tjetër shumë i rëndësishëm i imi është që ju të keni ujë 24 orë. Rezultati i çmimeve të puseve dëshmon se cilësia e ujit është e shkëlqyer.

Në këto katër vite deklaroi kryeministri Shqipëria ka ndryshuar dhe në mandatin e dytë të qeverisë së tij do të ketë dhe më shume ndryshime.

Sali Berisha: “Për shkak të krizës financiare dhe ekonomike, në vendet tjera po ngrijnë rrogat dhe pensionet. Ne jo vetëm që nuk do t’i ngrijmë, por do të bëjmë me datën 1 maj rritjen më të madhe të 4 viteve që shkuan.”

Berisha ka deklaruar se së shpejti akse të rëndësishme si ai Vlorë-Shkodër do të bëhen me katër korsi ndërsa do të përfundoj dhe rruga e Arbrit.

Sali Berisha: “Do shtrojmë me 4 korsi arterien kryesore të vendit Vlorë-Shkodër, do përfundojmë boshtin e jugut, do përfundojmë rrugën e Arbrit, do përfundojmë rrugën e re Tiranë-Elbasan dhe Qafë Plloç-Qukës.”

Nisur nga debatet më të fundit për procesin e pajisjes me kartat e identitetit kryeministri Berisha i ka kërkuar të gjithë qytetarëve të Kavajës të aplikojnë dhe të pajisen me to. Gjithashtu Berisha ka ftuar qytetarët e Kavajës të votojnë për të djathtën pasi e majta është ndryshim që çon prapa.

Sali Berisha: “Majtas është mbrapa, ora e shqiptarëve është ora e djathtë, është ora e historisë. Ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë të marrin letërnjoftimet elektronike. Janë dokumente me të cilat ju do mund të udhëtoni në të katër anët e Europës si qytetarë të saj.”/tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi