Kryeministri Sali Berisha ka vizituar qytetin e Kukësit ku ka inspektuar punën në autostradën më të rëndësishme të vendit, atë Durrës-Kukës dhe ka inauguruar një sërë investimesh publike në infrastrukturë dhe industri.
Përsa i përket ritmit të punimeve në segmentin Kalimash-Morinë kreu i qeverisë vlerësoi se firmat ndërtuese po punojnë me përkushtim të madh dhe po përdorin teknologjinë e duhur në mënyra që rruga të jetë e standardeve më të larta, pavarësisht vështirësive që paraqet terreni.
Në këtë segment po ndërtohen 40 ura, shtatë prej të cilave janë 250 metra të gjata dhe 50 metra të larta.
Sali Berisha: “Shfrytëzoj rastin t’i përgëzoj për punën e shkëlqyer që po bëjnë dhe kanë bërë. Kjo vepër gjigante po ecën. Po ecën me një shpejtësi ndër më të mëdhatë që kanë ecur autostradat e kësaj natyre ndonjë vend”.
Magazina frigoriferike e patateve ishte pjesë e këtyre inaugurimeve, një impiant me vlerë prej 60 milion lekësh, i cili do të jetë ndihmesë e madhe për zonën e Shishtavecit, e cila është e njohur për prodhimtarinë e patates.
Sali Berisha: “I kam premtuar dhe rrugën kësaj zone, zonës së Shishtavecit”.
Më tej inaugurimet e kreut të qeverisë kanë vijuar me tregun ushqimor të Kukësit. Ky është një investim prej 50 milion lekësh dhe do të krijojë kushte të favorshme për tregtarët.
Sali Berisha: “Një treg i ri, modern, në të cilin do mund të tregtojë të gjitha prodhimet e tyre bujqësore dhe është një lehtësi e madhe”.
Prej këtej Berisha premtoi ndërtimin e 70 hidrocentraleve të vegjël.
Sali Berisha: “Nga këto janë, njëri ka filluar punën, i Lapajve. Investim prej 14 milion dollarë”.
Fillimi i rikonstruksionit të çative në lagjen nr.1 ishte ndalesa e radhës së kryeministrit, sipas të cilit shumë shpejt do të marrë zgjidhje problemi i strehimit në Kukës.
Sali Berisha: “Ndërtimin e një pallati ose zgjidhje ekuivalente me të në mënyrë që të plotësojë të gjitha kërkesat që ka për strehim.”
Ndërsa gjatë inaugurimit të gjimnazit, “Havzi Nela”, kryeministri Berisha theksoi punën e madhe që është bërë për pajisjen e çdo shkolle me sallë interneti, ndërsa kujtoi dhe vizitën e kreut socialist, Rama, në këtë qytet.
Sali Berisha: “Ishte këtu dhe kryetari i Partisë Socialiste, por dy gjëra nuk vizitoi dot dhe nuk i rezistoi dot ai. Nuk vizitoi dot rrugën se i kall datën, nuk viziton dot sallat e informatikës se edhe ato e trishtojnë”.
Një tjetër rikonstruksion i përfunduar, inauguruar nga kryeministri Berisha, ishte dhe bulevardi i gjatë një kilometër i qytetit të Kukësit.
Gjithashtu në Kukës kreu i qeverisë zhvilloi edhe një takim me banorët në kuadër të turit, “Shqipëria në NATO”, ku vlerësoi marrjen e ftesës si pasojë e reformave qeverisëse, e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa u kërkoi qytetarëve bashkëpunim për të luftuar ryshfetin dhe korrupsionin.
Në këtë takim ai i premtoi kryebashkiakut socialist të Kukësit se do të mbështesë të gjitha projektet e bashkisë për investime./tvklan.al
Gazetar: Drini Zeqo