Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Një ditë pas interpelancës në parlament për deklarimin e pasurive, kryeministri Nano ka deklaruar se një pjesë e madhe e pallateve në kryeqytet është e pa hipotekuar.

Fatos Nano: “Në Tiranë ka me dhjetëra pallate të pa hipotekuara, ku banojnë qytetarë që nga dokumentacioni zyrtar konsiderohen si anonim, pastaj bëhen mish për lloj-lloj topash politikë”.

Këtë deklaratë Nano e ka bërë gjatë një takimi me 11 kryetarët e minisbashkive të kryeqytetit të kërkuar nga këta të fundit për të zgjidhur problemin e shfaqur muaj më parë midis tyre dhe bashkisë qendrore për mungesën e kompetencave.

“Shpesh nga bashkia e Tiranës konsiderohemi si zyra informacioni, apo bazë të dhënash, detyrë që ne e kryejmë shumë mirë”.

Arben Tafaj: “Probleme të ndryshme që dalin gjatë punës në njësitë tona, nuk pyeten këshilltarët dhe administrata jonë, por mblidhen parlamente fëmijësh, borde pensionistësh dhe lloj-lloj OJQ”.

Kryebashkiaku Rama ka mohuar se ka pasur shkelje të kompetencave nga bashkia qendrore, pasi gjithmonë bashkia ka qenë në dispozicion për prezantimin e projekteve të prezantuara nga minibashkitë.

Edi Rama: “Ne kemi nevojë të konturojmë bashkërisht një projekt të qartë, duke tërhequr litarin nga qyteti e qytetari dhe jo nga njëri-tjetri, që do të thotë me pak fjalë, që njësitë bashkiake duhet të bëjnë ato pune që mund t’i bëjnë më mirë e më me pak kosto, se sa bashkia”.

Ndërsa kryeministri Nano duket se u ka dhënë të drejtë kryetarëve të minibashkive. Ai ka deklaruar, se shumë shpejt do t’u kërkojë që në mbledhjen më të afërt të këshillit bashkiak të merret në shqyrtim kalendari për delegimin e kompetencave në njësitë bashkiake, në përputhje me ligjin për bashkinë e Tiranës./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka