I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në prani të një paneli gazetarësh dhe studentësh, kryeministri Sali Berisha ka zbardhur mënyrën se si kanë qeverisur demokratët në 4 vite. Një bilanc i realizimit të programit ku edhe do të bazohej qeverisja e pas 3 korrikut 2005, rritja e pagave dhe pensioneve, dyfishimi i investimeve në arsim ishin disa nga çështjet ku u ndal kryeministri Berisha.

Sali Berisha: “Rritja është njëra anë, eficenca e përdorimit është ana tjetër. Këto para shkuan në dyfishimin e rrogave për 45 mijë mësues. Kemi shtrirë kabinetet e informatikës në çdo shkollë, po shtrijmë internetin brenda këtij muaji në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Reforma me bark bosh siç thotë populli nuk ka dhe nuk mund të ketë. Kur u bëra kryeministër para 4 vitesh, çfarë gjeta? Infermiere që bëjnë punën më të rëndë, nuk ka më të rëndë se puna e infermieres ju them unë ju se unë e njoh, unë jam mjek vetë dhe e quaj më të rëndë punën e infermiere, të cilat lajnë, shpëlajnë ditë e natë, sa merrnin 150 mijë lekë të vjetra. Çfarë reforme do bëja? Reforma e parë ishte të normalizoja jetën e këtyre njerëzve.”

Kryeministri tha i bindur në Opinion, se qeveria ka shënuar arritje në luftën ndaj korrupsionit.

Sali Berisha: Që të krahasosh Shqipërinë e sotme zotëri, me Shqipërinë e 4 viteve më parë është njëlloj si të kesh sy dhe të mos shikosh, kjo është e vërteta dhe kjo jo se e them unë, por këtë e thonë faktet më të pakundërshtueshme. Është kjo qeveri i nderuar zotëri, që duke luftuar korrupsionin në 3 vjet jo 4 vite ka inkasuar në arkën publike 4.2 miliard dollar më shumë se qeveria paraardhëse. Është kjo qeveri e cila nga “Watch dog” nga institucioni më kryesor dhe më i besuar në botë për luftën kundër korrupsionit, është shpallur kampione për luftën kundër korrupsionit. Sa janë sot shpenzimet operative të administratës time, janë 2% të PBB kundrejt 3.2% që ishin më parë. Le tu referohem fakteve tjera, nga u gjetën këto para të nderuar zotërinj që u dyfishuan rrogat, më thuaj të marrim anën tjetër, nga dolën këto, janë nga qielli, u gjet ndonjë sasi gazi e madhe apo nafte, nga dolën këto? Këto dolën nga lufta kundër korrupsionit”

Vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindi ishte gjithashtu pjesë e interesit mediatik, çështje për të cilën kryetari i qeverisë garantoi se mbetet i angazhuar për të zbardhur sa më shpejtë ngjarjen.

Sali Berisha: “I sigurt të jeni ju se ne do marrim çdo masë që udhëheqësit e partive politike dhe ata që marrin pjesë në fushatë të kenë garancinë më maksimale. Kjo është detyra e qeverisë, sikundër detyra e qeverisë është të ndihmojë institucionet përgjegjëse që të bëjnë një hetim më të plotë.”

Robert Rakipllari: “Në dijeninë tuaj për çfarë është vrarë zoti Xhindi zoti Berisha?”

Sali Berisha: “Jo nuk kam dijeni. Më fal tani një gjë dhe shfrytëzoj rastin tu bëj apel mediave mos u merrni me variante, lërjani variantet prokurorisë dhe policisë kriminale se lëndohet familja në radhë të parë.”

Kryetari i qeverisë ka sqaruar edhe njëherë për publikun se hapi për aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE ishte në sinkron të plotë me unionin, një proces që sikurse theksoi do të përshpejtojë liberalizimin e vizave me BE-në…./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi