Debatet e shumta mediatike dhe politike të javëve të fundit në lidhje me marrëdhëniet e ekzekutivit me organin e akuzës, kryeministri Berisha i sheh thjesht si diversitet të mendimit në një vend demokratik.

Gjatë një konference për shtyp kryeministri ka pohuar se për mazhorancën dhe atë personalisht pavarësia e institucioneve është prioritet madhor.

Sali Berisha: “Në një vend të lirë të gjitha diversitetet e mendimeve brenda një spektri të caktuar janë të pranueshme. Institucionet e pavarura në këtë vend lindën nga një vendim që u mor për të shembur perden e hekurt, murin e Berlinit. Në këtë kontekst pavarësia e institucioneve mbetet një qëllim madhor i jetës dhe veprimtarisë sime”.

Ndërkohë në lidhje me kundërshtinë e shfaqur nga grupet e interesit për projektligjet që janë pjesë e reformës në drejtësi, por dhe drafte të tjera si ligji i urbanistikës, i cili ka ngjallur debate, Berisha ka reaguar duke deklaruar se asnjë interes personal apo politik nuk mund të cenojë angazhimin e qeverisë për hartimin e këtyre ligjeve, të cilat ai me siguri të plotë pohon se janë nga më të mirët.

Sali Berisha: “Ligjet e këtij vendi do të jenë ligje të standardeve më të mira demokratike, por në qoftë se Krraba e Interesit kërkon t’i tërheqë ato nuk do mundë t’i tërheqë. Këto ligje nuk po i shpikim ne. Ne ecim me modele”./tvklan.al