Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez njoftoi këtë të hënë vendimin për të mos u larguar nga posti i kreut të qeverisë.
Në një deklaratë për mediat, Sanchez tha se ka vendosur të vijojë detyrën si kryeministër dhe bëri thirrje për një reflektim kolektiv, ashtu sikurse një pastrim të asaj që e përshkruajti si ‘praktika toksike të jetës publike’. Ai i bëri thirrje shoqërisë spanjolle që të bëhet shembull dhe frymëzim për botën.
Vendimi i tij vjen disa ditë pasi njoftoi papritur se po konsideronte dorëheqjen nga posti, pasi gjykata e Madrid tha se kishte hapur një hetim ndaj gruas së Sanchez, Begona Gomez, mbi pretendimet për korrupsion.
Të dielën, me mijëra mbështetës mbushën rrugët e Madridit në një përpjekje për ta bindur Sanchez që të mos jepte dorëheqjen. Mbështetësit udhëtuan me autobus nga i gjithë vendi për të marrë pjesë në një demonstratë jashtë selisë së partisë së tij në Madrid, duke brohoritur “Pedro, mos u dorëzo” dhe “Ti nuk je vetëm”.
Ata mbushën rrugët duke kënduar dhe duke valëvitur gjithashtu flamujt kombëtarë. Rreth 12,500 mbështetës iu bashkuan tubimit, sipas qeverisë spanjolle.
Akuzat ndaj bashkëshortes së Sanchez u ngritën nga organizata Manos Limpias (Duar e Pastra), e drejtuar nga një njeri i lidhur me të djathtën ekstreme të quajtur Miguel Bernad. Hetimi paraprak po shqyrton lidhjet e Gomez me kompanitë private që siguruan paratë për qeverinë ose kontratat publike.
Në mënyrë të veçantë, po hetohet gjithashtu marrëdhëniet midis një fondacioni që ajo drejtonte të quajtur IE Africa Center dhe grupit të turizmit Globalia, linja ajrore e të cilit Air Europa mori një ndihmë prej 475 milion euro gjatë pandemisë.
Sanchez dhe aleatët e tij kanë këmbëngulur se akuzat, të cilat janë raportuar gjerësisht në mediat e krahut të djathtë, janë false. Prokurorët në Madrid kërkuan që hetimi të ndalet për shkak të mungesës së provave.
Kryeministri spanjoll i cili drejton një qeveri koalicioni, ka thënë se akuzat kundër gruas së tij ishin përpjekja e fundit e partive dhe mediave të krahut të djathtë për ta minuar atë./tvklan.al