Shiu i një viti ra brenda tetë orëve në disa pjesë të rajonit spanjoll të Valencias. Bilanci i viktimave si pasojë e këtyre përmbytjeve u rrit në të paktën 72. Vërshimi i ujit krijoi pirgje makinash në autostrada dhe përmbytje të tokës bujqësore në një rajon që prodhon dy të tretat e agrumeve të Spanjës.

Banorët në zonat më të goditura panë njerëz të qëndrojnë mbi makina kur uji i rrëmbyer e gjithë baltë shpërtheu nëpër rrugë, duke shkulur pemët dhe shkatërruar pjesërisht disa ndërtesa.

Denis Hlavaty priti forcat e shpëtimit në një pikë të lartë të karburantit ku punon. “Dukej si një lumë që na kaloi para. Dyert u shqyen dhe kalova natën atje i rrethuar nga uji 2 metra i thellë.”

Kryeministri Pedro Sanchez premtoi rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar. “Për ata që në këtë moment kërkojnë ende të dashurit e tyre, e gjithë Spanja qan me ju”. Mbreti Felipe i VI i Spanjës tha se të gjitha burimet u shpërndanë në operacionet e kërkim-shpëtimit pas përmbytjeve.

Pamjet e xhiruara nga shërbimet e urgjencës nga një helikopter treguan ura të shembura dhe makina e kamionë të grumbulluar njërimbi tjetrin në autostrada midis fushave të përmbytura jashtë qytetit të Valencias.

Trenat me drejtim Madridin dhe Barcelonën u anuluan për shkak të përmbytjeve, shkollat dhe shërbimet e tjera thelbësore u pezulluan në zonat më të goditura. Rreth 150,000 abonentë në Valenciambetën pa energji elektrike.

Shërbimet e urgjencës u kërkuan qytetarëve të shmangin të gjitha udhëtimet rrugore.

Përmbytje pati edhe në pjesë të tjera të vendit, duke përfshirë rajonin jugor të Andaluzisë. Sinoptikanët paralajmëruan se moti i keq do të vazhdojë. Në Katalonjëautoritetet lëshuan alarm të kuq, duke paralajmëruar erëra të forta dhe breshër. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von derLeyen tha se blloku është i gatshëm të ndihmojë Spanjën.

“Kemi aktivizuar sistemin tonë satelitor Copernicus për të ndihmuar në koordinimin e ekipeve të shpëtimit dhe ne kemi ofruar tashmë të aktivizojmë mekanizmin tonë të mbrojtjes civile.”

Spanja është eksportuesi më i madh në botë i portokalleve të freskëta dhe të thara, dhe Valencia jep 60% të prodhimit të agrumeve të vendit.

Ngjarjet ekstreme të motit po bëhen më të shpeshta në Europë për shkak të ndryshimeve klimatike. Meteorologët mendojnë se ngrohja e Mesdheut, që rrit avullimin e ujit, luan rol kyç në formimin e fenomeneve me shira të rrëmbyeshëm.

Klan News