Edi Rama: “Vazhdon maskarada e KQZ-së. Vazhdon pengmarrja e zgjedhjeve. Vazhdon farsa e kryeministrit në detyrë që bën sikur ecën pa paterica, që rrit taksat dhe inauguron rrugë të pambuluar me financime duke thelluar gropën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që kriza ekonomike po troket fort në derën e familjeve shqiptare dhe gjendja e demokracisë në Shqipëri po bëhet përditë edhe më dramatike. Angazhimi ynë për të konsumuar deri në fund hallkat ligjore të një procesi tërësisht të degjeneruar është i plotë dhe pavarësisht abuzimit të skajshëm të KQZ-së me ligjin zgjedhor dhe me të drejtën tonë të pamohueshme për hapjen e kutive në Berat, Tiranë e Shkodër ne nuk kemi ndërmend të tërhiqemi asnjë milimetër nga detyrimi ynë për ta zbardhur krimin elektoral të 28 Qershorit. Urojmë që kolegji zgjedhor të mos sillet si KQZ-ja me ligjin dhe me të drejtën tonë të shkruajë të zezë mbi të bardhë për të kërkuar zbatimin e tij, ashtu sikundër i siguroj të gjithë votuesit dhe mbështetësit tanë se nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër në këtë përpjekje që s’ka të bëjë thjesht me fatin e një beteje elektorale, por me fatin e demokracisë në Shqipëri dhe me domosdoshmërinë për të mos lejuar që zgjedhjet në këtë vend të bëhen një skemë e mbyllur, ku fiton gjithnjë pushteti pavarësisht se si voton qytetari.”/tvklan.al