Në Rinas vijojnë operacionet e riatdhesimit vullnetar të shqiptarëve që kanë kërkuar azil në një nga vendet e hapësirës Schengen. Këtë të premte, policia njoftoi riatdhesimin e 109 qytetarëve, që kishin kërkuar azil në Francë. Operacioni vullnetar i radhës u krye me charter nga Lyon, Francë.
“Gjatë këtij operacioni janë riatdhesuar 109 shtetas shqiptarë, të cilëve iu ishte refuzuar dhënia e azilit dhe për këtë arsye ata kanë kërkuar që të kthehen vullnetarisht në Shqipëri“, thotë policia në një njoftim për mediat.
Dy ditë më parë u riatdhesuan vullnetarisht nga Franca edhe 110 persona të tjerë, të cilëve gjithashtu iu ishte refuzuar dhënia e azilit.
“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë se shanset për të fituar azil në vendet e BE-së janë zero dhe në këtë kontekst çdo shtetas shqiptar duhet të respektojë me rigorozitet rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në hapësirën Schengen“, vijon më tej njoftimi i policisë./tvklan.al