Të ndaluarit akuzohen për drogë dhe për tentativë vrasje
Interpoli ka ekstraduar nga Italia në Shqipëri një 43-vjeçar nga Vlora, i akuzuar për vrasje në bashkëpunim të mbetur në tentativë. Bëhet fjalë për një person me inicialet G.D, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, në vitin 2019 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ky person, më 10 Maj të 2019-s, në bashkëpunim më 4 persona të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një grup personash, në pjesën e jashtme të një lokali në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”.
Gjithashtu është ekstraduar nga Milano, Itali, drejt vendit tonë edhe Juljan Dama, 31 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi me vendimin penal të vitit 2018 është dënuar përfundimisht nga Gjykata e Apelit Durrës me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Tv Klan