Emisioni “Stop” në Tv Klan ka shkuar në lagjen nr. 13 në Durrës, në zonën e plazhit. Violeta Çela, banore në këtë qytet, tregon se në vitin 2006 bleu një dyqan të cilin e përdori për 6 muaj në 2010-ën e dhe më pas e mbylli. U largua për në Greqi, ku jetoi dhe punoi, u kthye në vitin 2022 në Shqipëri dhe vendosi që dyqanin ta kthejë në shtëpi.

Në shkurt 2023 bën një kërkesë për të ndryshuar faturimin e energjisë elektrike nga biznes në familje. Kanë shkuar punonjësit e OSHEE, e kanë verifikuar, kanë bërë foto dhe më pas i kanë thënë se duhet të presë. Por pas një viti ende nuk është bërë ndryshimi. Në zyrën e Kujdesit ndaj Klientit në Durrës i thonë se kërkesa është refuzuar, pasi nuk hapen fotot edhe pse ka bërë dy aplikime.

Punonjësi: E ke të refuzuar një, që ke bërë atëherë. Edhe i dyti është refuzuar.

Qytetarja: Ka dalë përgjigja, është refuzuar?

Punonjësi: Po!

Qytetarja: Si ka mundësi? Ai s’është dyqan, s’është aktivitet. Pse e kanë refuzuar?

Punonjësi: S’është aktivitet, por nesër mund ta kthesh në aktivitet. ti. Ai dyqan është. S’do të thotë që këta të tjerët, që s’i kanë në punë t’i kthejnë në familjar.

Qytetarja: Po pse ma dhatë mundësinë, për të bërë këtë aplikim kur nuk u ktheka?

Punonjësi: Kur ju themi s’bëhet, ju thoni bëje. Ik pyet atje, ku bëre aplikimin!

Qytetarja: Del me shkresë, që është refuzuar?

Punonjësi: Po, është refuzuar dhe thotë: “Nuk mund të verifikohet sepse nuk hapen dokumentat”.

Në Drejtorinë Qendrore të OSHEE, Ardian Kola, Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun, shprehet se ka pasur një problem në sistem, por problematika do të zgjidhet dhe madje zonjës i lind e drejta e kreditimit për të rregulluar pjesën e paguar më tepër nga momenti i verifikimit të parë./tvklan.al