Humbja me Çekinë dhemb, por në Kombëtaren Shqiptare të Futbollit duan ta harrojnë sa më parë! Skuadra u nis mëngjesin e së shtunës drejt Tbilisit, ku më 14 tetor do të përballet me vendasit e Gjeorgjisë. Në seancën e pasdites, ngarkesa do të jetë e paktë për futbollistët, të cilët u aktivizuan titullarë në ndeshjen ndaj çekëve, ndërkohë që pjesa tjetër do të punojë me më shumë intensitet.
Gjendja e lojtarëve është e mirë dhe asnjë prej tyre nuk ka shqetësime fizike. Silvinjo dhe stafi teknik tani do të punojë me strategjinë e re për sfidën e vështirë ndaj ekipit të Vili Sanjolit. Objektivi është fitorja për të harruar rezultatin negativ.
Në dy sfidat e fundit të Ligës së Kombeve, kuqezinjtë janë mposhtur. Një tjetër hap fals do ta komplikojë situatën në Grupin B1 për ekipin e Silvinjos. Ndeshja e së hënës mbrëma do të transmetohet ekskluzivisht në Televizionin Klan.
Klan News