Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti publikoi foto, që sipas të cilit tregojnë ushtarë serbë që kanë hyrë 50 metra brenda kufirit të Kosovës në territorin e komunës së Kamenicës, pasditen e së shtunës.

Kurti publikoi edhe këtë hartë që tregon lëvizjen të forcave ushtarake serbe, për të cilat thotë se janë provokime me qëllim nxitjen e tensioneve.

“Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës”.

Kreu i qeverisë së Kosovës thotë se kur forcat serbe kuptuan se ishin duke u filmuar janë larguar me shpejtësi për në brendësi të territorit të tyre. Kurti garanton se autoritetet janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës.

Edhe në të kaluarën, Kurti ka kërkuar nga ndërkombëtarët që t’i bëjnë presion Beogradit të largojë forcat ushtarake nga kufiri me Kosovën.

Tv Klan