Vera e këtij viti do të sjellë jo vetëm ditë të nxehta qe mund të ndikojnë në përhapjen e zjarreve në pyje, por edhe rrebeshe shiu që ka të ngjarë të shkaktojnë përmbytje. Një mot i tillë është një sfide për emergjencat civile.

Alfred Olli: “Gjatë këtyre ditëve kur kanë ndodhur përmbytjet të shpeshta sidomos në qytetin e Tiranës, forcat tona të shërbimeve zjarrfikëse kanë qenë gjithmonë në gatishmëri, kanë qenë ato të parat që kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes sidomos në disa pjesë të qytetit të Tiranës që janë gjithmonë brenda problematike. Do përmendja këtu Komunën e Parisit, pra njësia bashkiake numër 5, që quhet zakonisht. Ku është vërtet problem shqetësues përmbytja nga shirat.”

Por për të patur me shumë efikasitet, zyra e emergjencave civile sheh të domosdoshëm bashkëpunimin me pushtetin vendor.

Alfred Olli: “Kemi pasur një mungesë të plotë bashkëpunimi nga ana e pushtetit vendor të kryeqytetit, pra bashkisë së kryeqytetit e cila në asnjë rast nuk na është përgjigjur për të bashkëpunuar në këto situata, kur do të thoja që ka qenë një nga detyrat kryesore të tyre.”

Ditët e nxehta të parashikuara nga sinoptikanët rrisin frikën për  zjarre në pyje, por  edhe në këtë rast emergjencat civile kanë marrë të gjitha masat, deri në nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim me dy shtetet fqinje Greqinë dhe Italinë.

Alfred Olli: “Pra edhe shërbimi italian dhe shërbimi grek janë brenda kontratave, brenda marrëveshjeve që kemi nënshkruar  për të përballuar situata të vështira dhe delikate në fushën e zjarreve në pyje sidomos.”

Dy shtetet fqinje do të na ndihmojnë me mjetë për shuarjen e zjarreve nga ajri, në rast nevoje./tvklan.al Gazetare Brunilda Cami