“Komisioni për Ringritjen” merr drejtimin e PD deri në zgjedhjen e kryetarit
Kuvendi Kombëtar i thirrur nga delegatët shkarkoi Lulzim Bashën si kryetar i Partisë Demokratike.
Nga 4935 delegatë që morën pjesë në Kuvendin Kombëtar votuan pro propozimit për shkarkimin e Bashës 4446 delegatëve të Kuvendit Kombëtar.
“Delegatë prezentë në momentin e çeljes së votimit kanë qenë 4934. Nga këta delegatë pjesëmarrës në votim, pra delegatë që kanë votuar janë 4491 delegatë. Nga këto 4491 delegatë, pro shkarkimit të kryetarit të PD kanë votuar 4446 delegatë. Kundër kanë votuar 36 delegatë dhe 9 delegatë e kanë nxjerrë fletën të pavlefshme. Ky është rezultati zyrtar i procesit të votimit”.
Menjëherë pas shpalljes së rezultatit reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e konsideroi atë si triumf të lirisë.
“Dua të përshëndes sot demokratët dhe demokratët shqiptar kudo që ndodhen, kjo është ngjarja më e veçante, më e jashtëzakonshmja në historinë e lirisë së shqiptarëve, në kuptimin që ky Kuvend ishte vepër e anëtarëve të lirë të PD, i pari i këtij lloji në historinë pluralizmit, por ndoshta edhe në Europë dhe Botë, triumfi i lirisë që gufon nga idealet dhe zemrat e anëtareve është triumfi më magjik, me mahnitës i të gjithëve, sot në 8 orë pa pushim mbi 4934 delegatë firmosën në këtë monument madhështor të rivendosjes së pluralizmit të partisë, në këtë moment historik të revolucionit demokratit paqësor që është në misione të mëdha, të rivendosjes së të drejtës së shqiptarëve për votën e lirë, pa parti shtet, pa opozitë kukull”
Ai tha gjithashtu se Basha tashmë është vetëm një kufomë politike.
“Peng Basha nuk do të doja që të flisja fare për të sot, i rrethuar me batalionin e policisë së Ramës sepse ca mund të flasësh për të, ai tregoi që është kufomë politike”
E pavarësisht angazhimit të shumë forcave të policisë për të ruajtur PD-në, Berisha tha se ajo nuk mund të mbetet e pengjeve.
“Selia është vetëm një, ajo që ndodhet aty dhe do të shkojmë në momentin më të parë që do të vendosim, nuk është seli e pengjeve dhe nuk është seli e rrethuar me blinda dhe bandat e Edi Ramës, këtij i them hiq dorë nga çdolloj përpjekje për t’i garantuar mbijetesë pengut sepse hoqe apo jo, ky revolucion do kthehet nga ti”, tha Berisha.
Mocioni ndaj Bashës erdhi pas propozimit të bërë nga 7 deputetë dhe 15% e delegatëve të Kuvendit, me motivacionin për thyerje të rënda të statutit të PD për marrje të kompetencave. Ky vendim tashmë do të kalojë në të gjitha degët ku përmes një referendumi që do zhvillohet më 18 Dhjetor do të pyetet e gjithë anëtarësia e PD.
Tv Klan