Rama: Koalicionet e shkuara, hile elektorale
106 vota pro mori nga parlamenti kërkesa e deputetëve të opozitës parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën në dy nene të saj. Ndryshimet mundësojnë hapjen e listave zgjedhore dhe heqin koalicionet parazgjedhore me lista të veçanta, siç kanë qenë deri tani.
“Këtë se ka askush dhe këtë sot do ta fshijmë”.
Për Kryeministrin Rama, ky është një revolucion, një mesazh ky që u kujdes ta tregojë edhe me shkrimin në kravatën e tij, për shkak se thotë se i japin fund asaj që ai e quan një shpikje shqiptare dhe një hile që deformonte vullnetin e votuesve.
“Një hile që nuk e garanton këtë që kodi i praktikave të mira zgjedhore në 2005, i Komisionit të Venecias nënëvizon. Ti i thua votuesit ke një trend me 40 parti dhe vota jote nuk i shkon atyre që janë në atë vagon, por mblidhet tek lokomotiva ose tek vagoni i dytë. Dhe vagoni i dytë sillet si lokomotivë pastaj, duke tërhequr zvarrë sa njërin, sa tjetrin sipas rastit”.
Rama e cilëson të lodhshëm procesin e negociatave me opozitën jashtë parlamentit për të gjetur dakordësinë, pavarësisht gadishmërisë së shumicës për të mirëpritur çdo lloj modeli që aplikohet aktualisht në vendet anëtare të OSBE për koalicionet.
“Thanë e duan si Letonia, por jo të shikojmë dhe Holandën, shiko se dhe Belgjika. Si ta duan. Jo po si Riza. Si Riza është ekzaktësisht kjo që themi ne. Një grumbullim partish në një sigël. Nuk po heqim të drejtën për t’u bashkuar Luli me Monën. Duke patur lulin me Monën bashkë kemi dhe babaxhiken, kemi dhe atë dixhitalin e Lalzit bashkë”.
Sa i takon listave, shefi i mazhorancës siguron se përcaktimet kushtetuese nuk pengojnë hapjen 100 përqind të tyre. Dhe ka një mesazh dhe për 10 deputetët e opozitës që votuan kundër ndryshimeve.
“Duhet të ulemi të vazhdojmë argumentet”.
Një mesazh pati edhe për ambasadorët që u përfshinë në këtë proces.
“Miqtë dhe partnerët tanë duhet ta dëgjojnë mirë. I takon shtetit shqiptar të vendosë përmes parlamentit të vetë, se çfarë bën me sistemin zgjedhor. Nuk është një zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë as me Ambasadoren Amerikane dhe as me Ambasadoren e Bashkimit Europian dhe as me askënd tjetër. Po kur dëgjoj Ambasadoren Amerikane që thotë do t’i ndjekim me vëmendje drejtuesit politikë, a do e mbajnë fjalën, a nuk do e mbajnë fjalën, sinqerisht nuk më vjen mirë. Ajo fjali është një arsye për çdo person këtu në këtë vend, të mos e bëjë qesharak popullin e vet”.
Ndryshimet kushtetuese të miratuara në seancën e fundit plenare për këtë sesioni, i bën të domosdoshme amendimet e reja në Kodin Elektoral, që pritet të shqyrtohen në fillim të Shtatorit me nisjen e sezonit të ri parlamentar.
Tv Klan