Situata e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës mblodhi në një seancë të jashtëzakonshme deputetët e Kuvendit. Në krye të punimeve të çeljes së sesionit të dimrit, kryeparlamentarja Topalli iu drejtua deputetëve socialist që nuk ishin të pranishëm në sallë, duke i kujtuar atyre kërkesën publike që sipas saj iu kërkua për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme.
Jozefina Topalli: “E vlerësova si të drejtë e të përgjegjshme kërkesën e deputetëve të opozitës. Nuk guxoj të mendoj se ato kërkesën e kishin vetëm një farsë.”
Kryeministri Berisha në fjalën e tij theksoi faktin se kjo fatkeqësi e rëndë e natyrës që ndodh njëherë në 100 vjet u menaxhua me sukses nga KESH-i, qeveria dhe strukturat e pushtetit lokal. Në një operacion të suksesshëm shpëtimi siç tha ai pa asnjë humbje njerëzore.
Duke premtuar transparencë të plotë, kryeministri Berisha tha se qeveria e drejtuar prej tij do të dëmshpërblejë të gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi.
Sali Berisha: “Qeveria disponon të gjitha fondet, të gjitha mjetet e një zhdëmtimi të ndershëm, të plotë dhe total. Jo vetëm të dëmeve të krijuara në shtëpitë, orenditë, malli që kanë patur, por dhe të gjitha dëmet e tjera.
Sipas Berishës kjo provë shekullore e përmbytjes hap një kapitull të ri mundësish e projektesh që do të bëjnë zonën e Shkodrës që të përballojë vërshimet më masive të ujit me kostot më minimale.
Sali Berisha: “Më shumë investime të mëdha duhet bërë nën diga. Argjinaturat e ndërtuara gjatë 2-3 viteve të fundit, të modelit më të mirë dua të vazhdojnë të shtrihen, do rikonceptohet tërësisht sistemi i kullimit. Një projekt tjetër madhor është thellimi i Bunës.”
Më tej kryeministri Berisha shigjetoi një pjesë të opozitës që sipas tij u përpoq ta manipulonte politikisht këtë fatkeqësi.
Sali Berisha: “Për ditë të tëra u thanë shqiptarëve se digat u mbajtën të mbushura sepse Berisha donte të shiste energji, me çmim më të shtrenjtë. E turpshme, në qoftë se ishte puna për të shitur energji qeveria ime e shiste atë në tetor, në nëntor dhe jo me 17 lekë, por me 50 lekë.”
Berisha përmendi në mënyrë të veçantë kontributin e mediave në raportimin e situatës si dhe falënderoj qytetarët e Shkodrës për përballimin me gjakftohtësi të kësaj ngjarjeje dhe në mënyrë të veçantë solidaritetin e madh njerëzor brenda dhe jashtë vendit./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro