“Jo hapjes së çështjeve të dakordësuara më parë”
Ditën e dytë të takimeve në Kosovë, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë Serbi Miroslav Lajcak e ka nisur me presidentin, Hashim Thaçi.
Pas takimit presidenti Thaçi ka shprehur besimin e tij se ka ardhur koha që nga Bashkimi Evropian të hidhet në tavolinën e bisedimeve mundësia e diskutimit të njohjes reciproke. Sipas tij kjo duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes
“Dua të besoj se vetëm njohja reciproke me standarde të përcaktuara në kornizën e marrëveshjes, mund të jetë mundësia e vetme që garanton stabilitetin në rajon, fqinjësinë e mirë mes dy shteteve tona dhe të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi.
Nuk e ka përmendur fare çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe por ka lënë të nënkuptohet që është kundër diskutimeve të mbyllura më parë.
“Jo të fillohet apo të vazhdohet me çështje teknike që i kemi diskutuar dhe ridiskutuar tash e 10 vjet në Bruksel”, shtoi ai.
Ndërsa e vlerëson koordinimin ndërmjet SHBA-së e BE-së për dialogun. I ka bërë thirrje BE-së që të liberalizoj vizat për qytetarët e Kosovës të cilëve sipas tij po u bëhet e padrejtë.
Lajçak ka vazhduar takimet e ndara me krerët e partive politike në Kosovë, ndërsa do të përmbyll vizitën e tij nesër me një konferencë që do të mbaj për media.
Tv Klan