Qytetarët që ankohen për sigurinë e ndërtesave që po i legalizojnë, kanë marrë vetë përsipër përgjegjësinë për çdo dëm që mund t’u shkaktohet apo t’u shkaktojnë të tjerëve nga ndërtimi i tyre. Kjo është deklarata që qytetari e firmos duke i hequr shtetit përgjegjësinë në rast dëmtimi dhe konstruksioni. Specialistë të Agjencisë së legalizimit thonë se ligji nuk lejon legalizimin e godinave në disa rastet.
Jeta Velaj: “Objekti informal nuk kualifikohet për t’u legalizuar, kur është ndërtuar në zona me rrezik përmbytje, në shtretërit e lumenjve, në zonat e riskut gjeologjik çarje-rrëshqitje. Çdo objekt nga poseduesi i tij duhet bërë një deklaratë personale në të cilën të marrin përsipër përgjegjësitë për çdo pasoj që mund të vij nga shkaqe natyrore ose nga përdorimi i banesës”.
Por muajt e fundit për shkaqe natyrore apo gabimesh njerëzore disa dhjetëra banesa të pasiguruara, janë shkatërruar plotësisht. Ka qenë shteti që ka marrë përsipër kostot e zhdëmtimit të tyre. Por kompanitë e sigurimeve thonë se këto çështje zgjidhen me kontrata sigurimi, duke i mëshuar idesë që shtëpitë në proces legalizimi duhet të përfshihen në një skemë sigurimi të detyruar.
Avni Ponari: “Të gjitha këto banesa që legalizohen, të ishin të përfshira në skemën e sigurimit të detyrueshëm, banesa që legalizohen do bësh dhe legalizimin për përgjegjësitë që mund t’u shkaktosh të tjerëve për 5 vjet. Atëherë qeveria shqiptare do ta shmang të veten nga përgjegjësitë financiare. Ne do të kishim një përgjegjësi të shmangur, çfarë do që të ndodh në të është industria e sigurimeve, është tregu i sigurimeve që do të paguaj. Kosta e sigurimit të tyre sipas perimetrave në katrorë është 1 euro maksimumi”.
Niveli i sigurimit për pronën në Shqipëri është disa herë më i ulët krahasuar me vendet e rajonit. Shifrat e dhëna nga Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare pohojnë mungesën e kulturës për sigurimin e pronës në Shqipëri.
Elisabeta Gjoni: “Penetrimi tek ne është akoma shumë i ulët të themi në shifrat 0.4% GDP-s, si nga kjo pikëpamje ashtu dhe nga pikëpamja e primeve për … dhe sigurimi i kolateralit është një kërkesë e domosdoshme nga bankat pra nuk është aq vullnetarë të themi se sa kërkesë”.
Futja në një skemë sigurimi për ndërtesat informale mendohet të rrisë tregun vendas të sigurimeve me rreth 30 milionë euro në vit, dhe nga ana tjetër të shërbejë si mburojë financiare për këto ndërtime nga çdo e papritur./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro