Në mbledhjen e fundit qeveria ka vendosur të ndihmojë Agjencinë e Legalizimit dhe të Urbanizimit dhe të Zonave Informale në rritjen e eficencës së saj. Kjo agjenci lirohet nga një numër i madh procedurash të ndjekura deri më tani.
Drejtori i ALUIZNI-t Shaban Memia tha për televizionin Klan, se në këtë mënyrë do të përshpejtohet procesi madhor i legalizimit.
Shaban Memia: “Ishin 75 hapa në të cilin parashikonte volum pune gjigande që nuk sillte pasoja negative as pozitive dhe 75 hapa procedurale që edhe këtu 90% e tyre ishin hapat që nuk sjellin pasoja. Përshpejtohet dhe shkurtohet shumë afati i realizimit të saj.”
Një pikë tjetër e Vendimit të Këshillit të Ministrave lidhet me tarifat.
Shaban Memia: “Një tarifë që e paguan qytetari për shërbimin që u bëhet është 4 mijë lek, praktikisht po ti drejtojë tregu, qytetari do të paguante 80 mijë deri 100 mijë lekë të vjetra, për të prodhuar të gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor se kaq është. Por ne për të eliminuar korrupsioni, për të eliminuar deformimin kemi vendos që dokumentacionin tua prodhojmë ne. Në një këndvështrim do të thoja se ne me ndryshimet dhe përmirësimet kemi marrë të gjithë hamallëkun për të garantuar suksesin e reformës.”
80% e shumës që do të paguhet për kalimin e pronësisë i shkon për kompensim pronarëve. Ndërsa pjesa tjetër pushtetit vendor. Në mbështetje të punës së ALUIZNI-t qeveria ka vendosur ngritjen edhe të 27 zyrave të reja rajonale. Teksa paritet rekrutimi i 200 ekspertëve të tjerë krahas 400 aktualëve.
Në të gjithë vendin numërohen rreth 320 mijë pasuri të deklaruara për legalizim, çka do të fusë në tregun formal të ekonomisë rreth 10 miliard euro. /tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro