Shoqata e Transportit: Efekti te ne është i papërfillshëm
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka miratuar një udhëzim, i cili i njeh deri në 100% të naftës që përdoret në transportin e udhëtarëve si shpenzim të zbritshëm për efekt të rimbursimit të TVSH-së.
Më parë në këtë sektor njihej vetëm 43% e naftës që përdorej në transport për efekt të përfitimit mbrapsht të një pjese të TVSH-së.
Ky ndryshim synon lehtësimin e kompanive të transportit të udhëtarëve, për shkak të rënies së të ardhurave që i shkaktoi pandemia e Covid-19, dhe si sektori që ka përjetuar më shumë masat shtrënguese dhe rënien e numrit të udhëtarëve.
Por pavarësisht kësaj, përfaqësues të Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve thanë për televizionin Klan se e shohin këtë nismë si të papërfillshme për të mbuluar të gjithë kostot që ka shkaktuar pandemia te këto biznese.
Një javë më parë qeveria vendosi dhënien e një page lufte prej 26 mijë lekësh për 5 191 punonjës dhe ish-punonjës të këtij sektori, por ky sektor kërkon heqjen e TVSH-së për këtë vit dhe uljen në 6% vitin e ardhshëm, si dhe mbulimin e kostove për kapacitetin e munguar gjatë periudhës së masave të pandemisë.
Volumi i pasagjerëve për 7 muajt e parë të këtij viti në sektorin detar, ajror dhe tokësor u ul me 60% gjatë këtij viti si pasojë e pandemisë, ndërsa volume i mallrave u tkurr 25% në transportin ajror dhe 8.7% në atë detar.
Tv Klan