Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për 12 punonjës të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor të Kamzës, si dhe katër punonjës policie. Mbi ta rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, pasi me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar ndërtimet e paligjshme në Bashkinë e Kamzës.
Sipas dosjes së dorëzuar në gjykatë nga prokurori Endrit Bime, punonjësit e INUV dhe ata Policisë së Rendit merrnin nga 1 mijë deri në 3 mijë euro për favorizim, në çdo objekt të ndërtuar pa leje.
Nga hetimet rezulton se në total janë rreth 80 ndërtime apo shtesa ndërtimi në zonat e Kamzës, Paskuqanit, Bërxullës, Zall Herrit.
Persona e dërguar në gjyq, pavarësisht se e dinin që në këto zona ndërtohej pa leje, nuk raportonin tek institucionet e tjera. Në këmbim të parave, ata lejonin ndërtuesin të vazhdonte punën, duke i dhënë edhe garanci se nuk do t’i ngacmonte askush.
Hetimi për këtë dosje nisi fillmisht nga Shërbimi për Kontrollin e Brendshëm dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Më pas, në bashkëpunim me Prokurorinë u bë arrestimi i 6 zyrtarëve të INUV dhe 2 policëve. Këta persona më pas u lanë të lirë nga Gjykata e Apelit e Tiranës.
Tv Klan