Forcimi i lidhjeve midis Rusisë dhe Koresë së Veriut nuk është vetëm një kërcënim për sigurinë evropiane, por edhe për Shtetet e Bashkuara. Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ku ndër të tjera është shprehur se Rusia po dërgon teknologjinë më të fundit në Korenë e Veriut.
“Kina, Koreja e Veriut, Rusia dhe, natyrisht, Irani është gjithnjë e më shumë një kërcënim jo vetëm për pjesën evropiane të NATO-s, por edhe për Shtetet e Bashkuara. Rusia po dërgon teknologjinë më të fundit në Korenë e Veriut në këmbim të ndihmës së Koresë së Veriut në luftën kundër Ukrainës. Kjo do të thotë se NATO-s, SHBA, Kanadaja dhe pjesa evropiane duhet të punojmë së bashku”.
Kievi ka konfirmuar se ushtarët e Koresë së Veriut janë përleshur me trupat ukrainase për herë të parë. Edhe zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se trupat e Koresë së Veriut ishin përfshirë në luftime në rajonin Kursk të Rusisë më 4 nëntor. Udhëheqësi i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se këto beteja me Korenë e Veriut hapin një kapitull të ri jo stabiliteti në botë.
Ukraina thotë se rreth 11,000 ushtarë të Koresë së Veriut tanimë janë dislokuar në rajonin kufitar Kursk, ku trupat ukrainase kanë një bazë. Ndërsa Koreja e Jugut nuk ka përjashtuar mundësinë e ofrimit të armëve drejtpërdrejt për Ukrainën, ka deklaruar presidenti Yoon Suk-yeol.
Klan News